Lajme

Osmani ka shkelur Kushtetutën me mos-emërimin e Isufajt si kryeprokuror të shtetit


Ilustrim: Blerim Isufaj dhe Vjosa Osmani

Mos-emërimi i Blerim Isufajt në pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit nga ana e presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, kur kanë kaluar plotë dy vjet prej kur Këshilli Prokurorial i Kosovës propozoi në këtë pozitë Isufajn, po konsiderohet si shkelje e Kushtetutës dhe e drejtës penale nga ana e Osmanit.

Kështu konsideron platforma kushtetuese.net e themeluar me qëllim që t’ju ofrojë juristëve kosovarë materiale të cilat ndihmojnë formësimin e tyre profesional.

Platforma në fjalë e cila udhëhiqet nga juristi Durim Berisha, vlerëson se kontestuese në këtë rast është fakti nëse presidentes Osmani, i njihet e drejta që të refuzojë emërimin e kandidatëve të propozuar për gjyqtarë të gjykatave të zakonshme, prokuror apo kryeprokuror dhe gjyqtar të Gjykatës Kushtetuese.

“Osmani refuzoi emërimin e kandidatit të propozuar duke u arsyetuar se Kushtetuta e obligon atë të garantojë funksionimin kushtetues të institucioneve të Kosovës”, shkruan kushtetuese.net

Në lexim të parë, sipas kësaj platforme, arsyetimi i presidentes duket racional, mirëpo një shtjellim i hollësishëm shpërfaq mungesën e bazueshmërisë (kushtetuese) të këtij arsyetimi.

“Presidentja fillimisht kishte pritur që të shterohen të gjitha mjetet juridike të ushtruara nga kandidatët që nuk ishin propozuar nga KPK. Kësisoj ajo theksonte se do të evitonte ndërhyrjen në sistemin e drejtësisë. Mirëpo, refuzimi për të emëruar kandidatin e propozuar, pasi ishin shteruar mjetet juridike në fuqi – me theks kritika dhe komentet e saj për përmbajtjen e vendimeve të gjykatave të zakonshme dhe Gjykatës Kushtetuese – paraqesin zhbërje të sistemit të drejtësisë dhe vendimet gjyqësore i zhveshin nga karakteri i tyre juridik, pra dispozitat që rregullojnë parimin e sigurisë juridike dhe të çështjes së gjykuar i kthejnë në një ‘nudum ius’”.

Presidenti i Shtetit është i ngarkuar me funksione formale-ceremoniale, ushtrimi i të cilave mund të konkretizohet me ligj të veçantë.

Në frymën e këtij arsyetimi, platforma në fjalë, merr si shembull Shqipërinë, ku presidentit i lejohet që brenda një afati të caktuar ligjor të anulojë konkursin për zgjedhjen e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese.

“Në rastin e Kosovës asnjë dispozitë ligjore nuk i njeh Presidentit të Shtetit të drejtën e kontrollit kushtetues të akteve të institucioneve tjera kushtetuese. Monopolin e kontrollit kushtetues dhe mbrojtjes së kushtetutshmërisë e gëzon Gjykata Kushtetuese, si institucion i veçantë kushtetues”.

Shqetësues në rastin konkret, sipas kushtetuese.net, është fakti se presidentja e rihap për shqyrtim meritor procesin e përzgjedhjes së kandidatit të propozuar nga KPK, ndonëse nuk gëzon këtë kompetencë dhe pasi janë përfunduar të gjitha procedurat gjyqësore, përfshirë pranë Gjykatës Kushtetuese, ajo e arsyeton këtë veprim me faktin se ankesat e kundërkandidatëve ishin refuzuar proceduralisht pa u pranuar në shqyrtim në merita dhe si rrjedhojë ajo e konsideron vetën si autoritet kompetent për të tejkaluar procedurat dhe vendimet gjyqësore, ndonëse hedhja poshtë mbi baza procedurale ka qenë rrjedhojë e gabimeve të kundërkandidatëve, të cilët nuk kanë respektuar procedurën e paraparë me ligj për atakimin e vendimeve të KPK pranë gjykatave kompetente.

“Presidentja nuk gëzon të drejtën e rihapjes se shqyrtimit të vendimeve gjyqësore e as të rrëzimit të tyre – çka ka rezultuar në këtë rast. Kompetenca e Presidentit të Shtetit si garantues i funksionimit kushtetues të institucioneve kushtetuese në njërën anë nënkupton të drejtën e Presidentit që brenda fushëveprimit të nenit 113 të Kushtetutës t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese me kërkesë për vlerësim të kushtetutshmërisë së akteve të organeve të parapara në këtë dispozitë të Kushtetutës së Kosovës (ku nuk përfshihet Këshilli Prokurorial i Kosovës dhe aktët që ky këshill miraton)”.

Prandaj, Presidentja do të mund të kishte dyshimet e saj, nëse KPK kishte realizuar mjaftueshëm vlerësimin e integritetit të kandidatit të propozuar, mirëpo nuk posedon asnjë kompetencë që ta “kontrollojë” punën e KPK dhe as që propozimet e këtij institucioni t’i kontestojë përmes ndonjë mjeti juridik.

“Duhet theksuar se Presidenti i Shtetit në Republikën e Kosovës nuk gëzon të drejtën e refuzimit të emërimit as të gjyqtarëve të gjykatave të zakonshme, as prokurorëve ose kryeprokurorëve dhe as të gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese, sepse një e drejtë e tillë nuk i njihet as me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe as nuk i është shtuar si kompetencë përmes ligjeve parlamentare”.

Osmani, në vlerësimin e kushtetuese.net, ka qenë dhe vazhdon të jetë e detyruar ta emërojë kandidatin e propozuar, sepse legjislacioni kosovar nuk i njeh të drejtën asaj që të kërkojë nga Këshilli Prokurorial anulimin e procesit të përzgjedhjes së kandidatit dhe kërkesën për përsëritje të procedurës apo kërkesën për të shpallur konkurs të ri.

“Neni 22 paragrafi 1 i Ligjit Nr.22 për Këshillin Prokurorial të Kosovës nuk krijon asnjë hapësirë për ndonjë diskrecion të Presidentit të Shtetit për të vlerësuar apo rivlerësuar procedurën e ndjekur nga KPK. Kjo dispozitë është një nga ato rastet kur Presidenti ushtron funksionin e tij si ‘noter shtetëror’.

“Ligjdhënësi ka paraparë të drejtën e KPK që ta nominojë kandidatin për Kryeprokuror të Shtetit, ndërsa detyrimin e Presidentit që ta emërojë për një mandat shtatë vjeçar. Në të vërtetë struktura dhe gjuha e dispozitës në fjalë emërimin e kandidatit të propozuar nga Presidenti e sheh si hap të automatizuar”.

Aspekti i dytë i rolit të Presidentit si garantues i funksionimit kushtetues të institucioneve të parapara me Kushtetutë shtrihet në sferën institucioneve me karakter politik.

“Pra kur shefi i shtetit del nga roli i tij si “noter shtetëror” dhe angazhohet që të zgjidhen ngërçe politike që pamundësojnë ushtrimin e rolit kushtetues nga Kuvendi, sidomos kur bëhet fjalë për zgjedhjen e Qeverisë. Pra roli i Presidentit si garantues i funksionimit kushtetues të institucioneve kushtetuese nënkupton angazhimin e Shefit të Shtetit, i cili trupëzon unitetin shtetëror dhe popullor, që të shuaj polarizimet politike – pra nuk themelon një rol të ri si ‘kontrollues’ i institucioneve kushtetuese”.

Në situatën aktuale, shkruan më tej kushtetuese.net, përpos tejkalimit të mandatit të saj kushtetues, presidentja Osmani ka rrëshqitur edhe në sferën e penalitetit, sepse përmes refuzimit të saj për të përmbushur një detyrim kushtetues dhe ligjor, ajo duke keqpërdorur autoritetin ka shkelur të drejtat e kandidatit të propozuar.

“Në rrethanat aktuale, Këshilli Prokurorial të Kosovës nuk ka në dispozicion asnjë mekanizëm (mjet) juridik për të jetësuar dhe mbrojtur funksionin e vet kushtetues. Neni 113 paragrafi 4 numër 1 i Kushtetutës së Kosovës rregullon vetëm konfliktin për kompetencë në mes të Kuvendit, Presidentit dhe Qeverisë, rrjedhimisht nuk është normë që krijon bazë për procedurën e njohur si ‘përplasje institucionale”, ku organet kushtetuese kanë të drejtë të ngrenë para Gjykatës Kushtetuese ndërhyrjen e një organi tjetër kushtetuese në fushëveprimin e tij apo pengimin e jetësimit të rolit kushtetues nga një organ tjetër kushtetues”.

Rrugëdalja e vetme nga situata e krijuar mbetet që kandidati i propozuar, Blerim Isufaj, është që ai të emërohet pa asnjë vonesë në pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit ashtu si e parasheh ligji dhe ashtu si ka ndodhur deri më tani me paraardhësit e tij.

“Gjykata Kushtetuese e Kosovës ua ka njohur zotësinë procedurale dhe autorizimin kushtetues kandidatëve për Kryeprokuror të Shtetit për të ngritur shkeljen e lirive dhe të drejtave themelore në procedurën e zgjedhjes së Kryeprokurorit të Shtetit në bazë të nenit 113.7 të Kushtetutës”.

Në rastin konkret, vlerëson kushtetuese.net, prokurori Blerim Isufaj nuk ka mundësi të kërkojë nga asnjë institucion, përpos se nga Gjykata Kushtetuese që të evitojë ndërhyrjen arbitrare në liritë dhe të drejtat e tij themelore.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore