Lajme

Osmani e bindur se “non-papers” e kanë burimin në Serbi


Vjosa Osmani, Presidente e Kosoves

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është e bindur se dokumentet jo zyrtare që po dalin kohëve të fundit – si ai slloven, si ky franko-gjerman – burimin e kanë në Serbi.

“Kjo është strategji e vjetër e Serbisë”, shkruan ajo në llogarinë e saj në Facebook.

“E përsëritur tani me qëllim që një qasje e tillë të normalizohet e të bëhet pjesë e debatit të përditshëm, e pastaj edhe e agjendës së dialogut, kërkesë kjo e rrezikshme dhe destabilizuese e saj, por dhe e Rusisë”.

Presidentja, e votuar rishtazi, ka thirru për mos rënie në “kurth të tillë”.

“Të kemi besim në aleatët tanë, por mbi të gjitha të kemi besim në vetveten. ‘Non-papers’, të tillë lëre që refuzohen nga ana jonë, por as nuk do të mund t’i përcaktojnë veprimet tona e as mbarëvajtjen e dialogut”.

Sipas Osmanit, po të lexohen me kujdes këto dokumente për riorganizim kufijsh, autori shpalosë vetën.

“Sot është dita kur kujtojmë më të dashurit tanë fatin e të cilëve ende nuk e dijmë. Përderisa dhimbja jonë për ta vazhdon, përgjigjja rreth fatit të të zhdukurve me dhunë gjendet në Serbi. Asnjë ‘non-paper’, nuk mund t’i ndryshojë prioritetet e as kërkesat tona të drejta në raport me Serbinë: zbardhja e fatit të të zhdukurve, drejtësia si dhe reparacionet për dëmet e luftës”.

Autorësi e letrave pa adresë, të cilat dolën ditëve të fundit, nuk është pranuar nga askush.

Për njërin, që parashihte bashkimin e Kosovës me Serbinë, u tha se është dizajnuar në Slloveni, por qeveria sllovene edhe për Albanian Post e mohoi.

Edhe ambasadat franceze e gjermane tash e kanë mohuar këtë të dytin, që parasheh njohje territoriale dhe njohje të sovraniteti në mes të Kosovës e Serbisë, por autonomi për veriun e Kosovës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore