Lajme

Osmani dhe Maqedonci thonë se po angazhohen për anëtarësimin e Kosovës në NATO


Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci në 75 vjetorin e aleancës më të madhe ushtarake NATO, kanë thënë se janë duke punuar pa ndalë për anëtarësimin në këtë organizatë.

Osmani, përmes një shkrimi në rrjetin social ‘X’, ka shkruar se NATO është një zotim për brezat e ardhshëm se ata do të trashëgojnë një botë më të sigurt dhe më të sigurt.

“NATO është një zotim për brezat e ardhshëm. NATO është fati ynë. Është fati i Kosovës. Rrugëtimi ynë drejt anëtarësimit në Aleancë nuk pushon, nuk lëkundet. Ne vazhdojmë të ecim përpara së bashku. Gjithmonë”, ka shkruar ajo.

Ndërsa, ministri Maqedonci ka thënë se thellimi i bashkëpunimit me ketë aleancë do të tregojë edhe një herë përkushtimin në ruajtjen e lirisë dhe paqes.

Sot shënohet 75 vjetori i aleancës më të madhe ushtarake, NATO-s.

“Pas vendimit të Komisionit të Përhershëm drejtues të Asamblesë Parlamentare të NATO-s që Kosova të kaloj në anëtar të asociuar, jemi të përkushtuar që të thellojmë bashkëpunimin që sa më parë të bëhemi anëtar të kësaj aleance”.

“Të bashkuar në mbrojtje kolektive të vlerave të përbashkëta! Të përkushtuar në ruajtje të lirisë dhe paqes!”, ka shkruar Maqedonci.

Që nga çlirimi i Kosovës në vitin 1999, Kosova synoi që të bëhet anëtare e NATO-s me ushtri të konsoliduar.

Misioni i NATO-s, KFOR-i, vazhdon të menaxhojë e qetësojë numrin më të madh të incidenteve serioze, si në jug, po ashtu edhe në Veri të Kosovës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore