Lajme

Osmani dekreton 29 gjyqtarë me mandat fillestar


Gjyqtaret duke u betuar para presidentes, Vjosa Osmani

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, me propozim të Këshillit Gjyqësor të Kosovës ka dekretuar 29 gjyqtarë me mandat fillestar.

“Në ceremoninë e betimit para Presidentes së Republikës, gjyqtarët e rinj janë betuar se: “do t’i qëndrojnë besnik Kushtetutës së Republikës së Kosovës, ligjeve në fuqi dhe do të respektojnë rregullat e etikës profesionale, si dhe do të kryejnë me besnikëri në mënyrë të pavarur, profesionale dhe të paanshme detyrat e tyre””, thuhet në njoftimin e zyrës së presidencës.

Ndërkaq, Presidentja Osmani ka theksuar se në konsolidimin shtetëror, sistemi i drejtësisë luan një rol shumë të rëndësishëm.

“Prandaj ne po punojmë fortë që ky sistem të jetë i pavarur, i drejtë, i paanshëm, dhe i cili siguron qasje të barabartë në drejtësi për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës”, ka thënë Osmani.

Mirëpo, Osmani vazhdon që mos ta dekretoj kryeprokurorin e zgjedhur Blerim Isufaj.

Këtë të mërkure, përmes një njoftimi zyrtar, Këshilli Prokurorial i Kosovës ka bërë të ditur se i është drejtuar me një kërkesë presidentes Vjosa Osmani që ta dekretojë Blerim Isufajn në pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit.

“Në kuadër të kompetencave kushtetuese dhe ligjore, Këshilli Prokurorial i Kosovës, njofton opinionin publik se sot iu ka drejtuar Zyrës së Presidentes të Republikës së Kosovës me kërkesë për dekretimin e Blerim Isufaj në pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit”, thuhet në njoftim.

Ndërkaq, nga KPK-ja potencojnë se kjo kërkesë është bërë pasi që janë shteruar të gjitha rrugët ligjore që kanë rezultuar se procesi për rekrutimin e pozitës së Kryeprokurorit të Shtetit “ka qenë i drejtë dhe legjitim”.

KPK-ja i kërkon Osmanit ta dekretojë Blerim Isufajn Kryeprokuror

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore