Lajme

Osmani: Anëtarësimi i Kosovës në INTERPOL i pamundur pa mbështetjen e ShBA-ve


Vjosa Osmani

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se pa mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA), Kosova nuk mund të anëtarësohet në INTERPOL.

Këto komente, Osmani i ka bërë në një konferencë të përbashkët për media me Ndihmës Sekretari për Byronë Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Çështjeve të Zbatimit të Ligjit, Todd D. Robinson.

Në fjalën e saj, Osmani theksoi se mbështetja e SHBA-ve për Kosovën ka qenë prezente në çdo sektor strategjik dhe në çdo hap procesit të shtetndërtimit.

“Në këtë drejtim edhe mbështetja që kemi pranuar nga byroja që udhëheqë ndihmës-sekretari Robinson shquhet për kohëzgjatjen, dinamikën si dhe për shumëllojshmërinë e asistencës përmes së cilës janë themeluar dhe janë fuqizuar mekanizmat tanë për sundimin e ligjit në Kosovë”, tha Osmani.

“Disa nga arritjet më të rëndësishme të institucioneve tona e kanë pikërisht vulën e byrosë që e udhëheqë Robinson, duke përfshirë themelimin e Policisë së Kosovës”, shtoi.

E para vendit theksoi se e ka informuar ndihmëssekretarin për synimin strategjik të Kosovës për anëtarësim në INTERPOL, “anëtarësim i cili do të jetë i pamundur pa mbështetjen e vazhdueshme të SHBA-ve”.

“Ky anëtarësim do të ndihmonte thelbësisht në rritjen e kapaciteteve tona, duke përmirësuar përgjigjen tonë institucionale ndaj krimit dhe duke fuqizuar angazhimin tonë në drejtim të garantimit të sigurisë të secilit qytetar të Kosovës, pa dallim”, theksoi ajo.

Sipas presidentes të vetmit që përfitojnë nga mosanëtarësimi i Kosovës në INTERPOL “janë kriminelët, në veçanti grupet kriminale transnacionale”.

“Është dëshirë dhe vullnet i përbashkët, i Kosovës dhe SHBA-ve, që ata t’i luftojmë deri në fund dhe pakompromis”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore