Lajme

OSBE e gatshme t’i asistojë zgjedhjet serbe në Kosovë, “nëse kushtet arrihen”


Foto Armend Nimani (AFP) - Graçanicë, duke votuar për zgjedhjet parlamentare serbe të mbajtura më 2014

Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), zyra në Kosovë, do të bëjë mbledhjen e fletëvotimeve të zgjedhjeve serbe të datës 3 prill, nëse fillimisht arrihet pajtim mes dy qeverive që ato të mbahen edhe në territorin e Kosovës.

OSBE, misioni në Kosovë, e ka kryer këtë funksion që nga vitit 2012, megjithatë, siç kanë treguar në një përgjigje me shkrim për Albanian Post, përherë e kanë bërë “të mbështetur nga institucionet e Kosovës, përfshirë Policinë e Kosovës”.

“Kjo ka ndodhur gjithmonë e bazuar në marrëveshjen e përbashkët mes Prishtinës dhe Beogradit dhe pajtimit të të gjitha institucioneve relevante të përfshira”, thuhet në përgjigjen e Zyrës për Media të OSBE-së për AP.

Të pyetur nëse për zgjedhjet e 3 prillit janë kontaktuar nga dy qeveritë për t’u njoftuar se ka ndonjë pajtim eventual, përgjigja ka ardhur krejtësisht e tërthortë.

“Misioni i OSBE-së në Kosovë vazhdon të qëndrojë i gatshëm për të bërë mbledhjen e fletëvotimeve nëse këto kushte (pajtimi i përbashkët) arrihen”.

Kushtet, të paktën deri më tani, nuk janë arritur. Kjo është lënë të nënkuptohet edhe nga një njoftim i Presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç dhe thirrjes urgjente të Këshillit të Sigurisë Kombëtare nga ana e tij, pikërisht për këtë çështje.

Siç njoftuan edhe mediat ne Serbi, Vuçiç ka thënë se “Qeveria e Kosovës kërkoi që ne të njohim pavarësinë e Kosovës për të organizuar votimin”.

Ai po i referohej deklarimit të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, i cili tha se Kosova nuk dëshiron t’ua ndalojë serbëve të Kosovës me dyshtetësi që të votojnë në zgjedhjet e 3 prillit, por gjithashtu dëshiron që “në Kosovë të respektohet kushtetuta, ligji dhe rezoluta e 15 janarit”.

Albin Kurti ne konference per media, 18 mars, 2022

Kjo nënkupton një kërkesë zyrtare të Serbisë në drejtim të Qeverisë së Kosovës, çka Serbia refuzon ta bëjë.

Delibor Jevtiç, nënkryetar i Listës Serbe, pohoi për Albanian Post se, për aq sa di ai, nuk ka pasur kurrfarë takimi e as biseda në distancë mes dy qeverive për këto zgjedhjet.

“Në dijeninë time askush nga Lisa Serbe nuk është pjesë e këtij procesi. Nuk e di nëse ka pasur ndonjë iniciativë për bisedime, prandaj e kam të pamundur të flas dhe çka do që do të thosha nuk do të ishte e bazuar në fakte”, pohoi ish-ministri serb në Qeverinë e Kosovës.

Albanian Post ka kontaktuar edhe me zyrën për media të Qeverisë së Serbisë, për t’i pyetur nëse kanë iniciuar kontakt me institucionet e Kosovës, pasi kanë dëgjuar zëvendës-kryeministrin e Kosovës, Besnik Bislimin, i cili qartësisht ka pohuar se duhet një kërkesë zyrtare nga pala serbe.

“Nuk kemi një përgjigje për ju”, është thënë për AP-në.

Në anën tjetër, nga zyra për media e kryeministrit të Kosovës, si zakonisht nuk është përgjigjur askush për të informuar nëse kanë pranuar ndonjë kërkesë nga qeveria serbe.

Jeton Zulfaj, këshilltar i kryeministrit Kurti, dhe ndër të paktët në zyrën e kryeministrit që e hapë telefonin, ka refuzuar të flas me pretekstin se i takon zyrës së mediave.

Por, ishte shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, që në konferencë për media e bëri të qartë se nuk është pranuar asnjë kërkesë për zgjedhjet e 3 prillit.

“Kemi deklaruar se zgjedhjet mund të organizohen në bazë të Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës, vetëm në bazë të një kërkese nga shteti serb për shtetin e Kosovës, kërkesë kjo që nuk ka ardhur”, deklaroi të hënën e 21 marsit, Kusari-Lila.

Në anën tjetër, as kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku dhe as kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, dy partitë opozitare më të mëdha në Kosovë, nuk kanë dhënë një qëndrim të prerë rreth zgjedhjeve serbe dhe (mos)mbajtjes së tyre në territorin e shtetit.

 

Pse s’mund të mbahen zgjedhjet serbe në Kosovë?

Foto nga Ivan Djerkovic DW – Poster i fushates zgjedhore aktuale ne Serbi

Mbajtja e zgjedhjeve të një shteti tjetër brenda territorit të Kosovës, pa dhënë lejen shteti i Kosovës, nënkupton shkelje të sovranitetit dhe integriteti territorial.

Kjo ishte nxjerrur edhe me rezolutën e 15 janarit, kur me 76 vota pro dhe asnjë kundër ishte vendosur që nuk bën të mbahen votime për referendumin serb të asaj kohe, por rrjedhimisht as zgjedhje serbe.

“Kuvendi thekson se hapja e qendrave të votimit të Serbisë në territorin e Republikës së Kosovës sikundër edhe përfshirja e grupacioneve apo strukturave ilegale në një organizim të tillë , përben shkelje të qartë të Kushtetutës dhe ligjeve të Republikës së Kosovës si dhe praktikave ndërkombëtare”, thuhet në një nga pikat e rezolutës.

Për të mundësuar të drejtën e votës së serbëve të Kosovës “u garantohet e drejta që të votojnë nëpërmjet postës apo zyrës ndërlidhëse në Prishtinë”, saktësonte rezoluta.

Megjithatë, siç dihet, rezolutat e miratuara nga Kuvendi nuk janë detyruese, porse pasqyrojnë një vullnetin politik.

 

A janë mbajtur dhe si janë mbajtur në të kaluarën?

Për herë të fundit zgjedhje parlamentar të Serbisë në Kosovë janë mbajtur me 21 qershor të vitit 2020.

Edhe këto zgjedhje, njëjtë si ato para tyre, janë mbajtur nën asistencën e OSBE-së.

Siç ka shpjeguar edhe ish-kryetarja e Komisionit Qendror Zgjedhor për Albanian Post, Valdete Daka, përveç OSBE-së, tjetër institucion nuk ka pasur rol në organizimin a mbarëvajtjen e tyre.

“KQZ-ja e Kosovës nuk ka pas as një rol, as nuk ka qenë detyrë që të organizojmë ato zgjedhje. Ne si KQZ nuk kemi pas njohuri as si organizohen, as si menaxhohen, pra nuk kemi pas kurrfarë roli dhe për neve praktikisht ato zgjedhje nuk kanë ekzistuar”, ka deklaruar ajo për AP.

“As teknikisht, as që mundemi me qenë të përfshirë në organizim ose çfarë do lloj ndihme në ato zgjedhje, sepse me ligjin për zgjedhjet e përgjithshme të Republikës së Kosovës, ne organizojmë dhe menaxhojmë vetëm zgjedhjet të cilat janë shpallur nga Presidenti i Kosovës”.

Valdete Daka, ish-kryetare e KQZ-se ne Kosove

Gjithmonë, OSBE-ja ka grumbulluar votat pas mbylljes së qendrave të votimit.

Pastaj, ato janë dërguar në dy qytetet e afërta kufitare në Serbi, praktikisht në Rashkë dhe në Vranjë, ku edhe janë numëruar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore