Lajme

OSBE: 45 civilë u gjetën të vrarë në Reçak, jetët e tyre janë një kujtesë e trishtuar


Misioni i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) në Kosovë, në 24 vjetorin e masakrës së Reçakut ka njoftuar se nuk do të harrojnë 45 civilët e vrarë.

“Në këtë ditë, 24 vjet më parë, 45 civilë – përfshirë fëmijë – u gjetën të vrarë në Reçak. Jetët e tyre janë një kujtesë e trishtuar për ne në fillim të çdo viti dhe të nevojës për të mësuar nga e kaluara dhe për t’u siguruar që ajo të mos përsëritet më kurrë. Nuk do të harrojmë kurrë”, thuhet në postimin e OSBE-së në Twitter.

Shefi i atëhershëm i misionit verifikues të Organizatës për Siguri e Bashkëpunim në Evropë (OSBE), ambasadori amerikan William Walker, vrasjen e 45 civilëve të Reçakut e kishte cilësuar si krim kundër njerëzimit.

“Nga ajo që pashë nuk ngurroj të përshkruaj ndodhinë si masakër dhe krim kundër njerëzimit. Kjo është ngjarja më trishtuese në jetën time”, pati deklaruar Walker.

24 vite më pas, Walker ka thënë se kjo masakër ishte moment kthese për Kosovën.

Ai ka theksuar se Qeveria e Serbisë atëkohë po provonte ta mbante të fshehur masakrën e Reçakut.

“Në Serbi, Qeveria e Beogradit e Milosheviç dhe Vuçiç, nisën të bëjnë gjërat që të kujdeseshin që bota të mos dëgjonte për Reçakun apo ta pranonte versionin e tyre. Por, falë Zotit kjo nuk ndodhi”, shtoi ai.

Ndërsa presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në ceremoninë për përkujtimin e masakrës së Reçakut, ka theksuar se krimet e kryera në këtë fshat i dëshmuan botës për tragjedinë që po e përjetonin shqiptarët.

“E bënë të pashmangshme edhe ndërhyrjen e botës demokratike për ta ndalur këtë makineri vrastare”, tha Osmani.

Walker: Vuçiç-i dhe Millosheviç-i dëshiruan që bota të mos dëgjonte për masakrën e Reçakut – por s’ia dolën

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore