Shqipëria

Ortodoksët kremtojnë Pashkët, krerët e shtetit urojnë besimtarët


Besimtarët ortodoksë tejmbushën Kishat duke kremtuar ngjalljen e Krishtit, në meshën e Pashkëve, dita më e rëndësishme në kalendarin festiv të krishterë.

Kjo ngjarje simbolizon rilindjen e shpresës, forcimin e besimit te Zoti për të gjithë besimtarët, kalimin nga e përkohshmja në të përjetshmen dhe çlirimin e njerëzve nga mëkati.

Fjala “Pashkë” shoqërohet me “fjalën e ndritshme që simbolizon dritën që del nga varri i Krishtit”.

Për të përforcuar ndritshmërinë e Pashkës, besimtarët marrin me anë të llambadarëve të zbukuruara dritën, të cilën klerikët e përftojnë nga flaka e kandilit të pashuar të Tryezës së Shenjtë.

Kjo e fundit, simbolizon varrin e Krishtit të ngjallur.

Kur u referohemi traditave në lidhje me Pashkën, karakteristikë e saj është veza.

Ajo simbolizon jetën dhe ngjyrimi i tyre me të kuqe simbolizon sakrificën e Krishtit, simbolikë e fitores, gëzimit dhe jetës.

Të krishterët e parë dhe bashkëkohës së apostujve filluan të ngjyrosin vezë dhe t’i dhurojnë për Pashkë, duke përshëndetur gëzueshëm “Krishti u Ngjall!”.

Përgjigjja e besimtarëve ortodoksë është: “Vërtet u Ngjall!”.

Urimet

Në Tiranë, mesha u kremtua në Katedralen Ngjallja e Krishtit, nën drejtimin e Kryepeshkopit Anastas.

Në Berat, ceremonia e Pashkës u kremtua në Katedralen “Shën Dhimitri” dhe u drejtua nga At Johan Qako dhe u ndoq nga qindra besimtarë.

Mesnata, që shënoi edhe ringjalljen e Krishtit, kulmoi në sheshin qendror të qytetit, ku të gjithë besimtarët ndriçuan qytetin me dritën e Zotit, me qirinj në duar.

Në Vlorë, mesha u mbajt në kishën Shën Theodhori.

Besimtarët morën mesazhin se në këtë ditë të madhe tregohet fitorja e jetës mbi vdekjen e dritës mbi errësirës dhe e dashurisë mbi urrejtjen.

Në Sarandë, me qirinjtë e lutjes në duar, besimtarët kremtuan gjithashtu Pashkët.

Po ashtu nuk kanë munguar as urimet e krerëve të shtetit.

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, u ka uruar Pashkën e Madhe të gjithë besimtarëve ortodoksë dhe mbarë popullit shqiptar.

“Gëzuar Pashkën për të gjithë besimtarët ortodoksë! Kjo festë e shenjtë sjell rigjallërimin e jetës, gëzim e shpresë dhe shënon një nisje te re! Qoftë ajo e bekuar për të gjithë shqiptarët!”, ishte mesazhi i Begajt.

Po ashtu, kryeministri Edi Rama,e ka nisur mëngjesin me një urim për të gjithë besimtarët ortodoksë me një foto nga kisha e Marmiroit në Vlorë.

“Mirëmëngjesi! Gëzuar Pashkët Ortodokse”, shkroi ai në median e tij sociale Facebook.

Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, ka uruar po ashtu besimtarët ortodoksë për Festën e Pashkëve.

“Ringjallja e Krishtit, një dritë e hareshme që treti errësirën, largoi pikëllimin dhe lajmëroi një fillim të ri. Festa e Pashkëve zgjon ëndrrat, ndihmon besimtarët, na ndihmon të gjithëve, për të kapërcyer vështirësitë, mundur lodhjen, korrigjuar dobësitë njerëzore, larguar pesimizmin, frikën, urrejtjen dhe përqafuar besimin, kurajon, ëmbëlsinë njerëzore. Festa e Pashkëve na ngjit në malin e lartë të humanizmit, përkushtimit, dashurisë. Gëzuar Pashkët, shëndet e mbarësi për të gjithë besimtarët ortodoksë!”, shkruan kryeparlamentarja.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore