Lajme

“Organizatori i sulmit në Banjë” – Kush është Millosh Vuçeviç, Kryeministri i ardhshëm i Serbisë


Kryeministri i ardhshëm i Serbisë, Millosh Vuçeviç.

Kryeministër i ardhshëm i Serbisë do të jetë Millosh Vuçeviç. Për këtë pozitë, atë e mandatoi presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, të shtunën.

Mandatimi i Vuçeviç-it vjen pas zgjedhjeve të 17 dhjetorit, të fituara nga Partia Progresive Serbe (SNS) – të kontestuara nga opozita serbe, përkatësisht koalicioni “Serbia kundër dhunës”.

Aktualisht ai është Kryetar i SNS-së, dhe ka mbajtur postin e Ministrit të Mbrojtjes dhe Zëvendëskryeministrit të Serbisë.

Në pozitën e kryeministrit, ai do ta pasojë Ana Brnabiç-in, e cila së fundmi është zgjedhur Kryetare e Kuvendit të Serbisë.

Por, kush është Millosh Vuçeviç?

Vuçeviç është pasues i Vuçiç-it si kryetar i SNS-së, dhe konsiderohet si njëri nga njerëzit më besnik të tij. Ai ka qenë kryetar i Novi Sadit, dhe përflitet si miku më i ngushtë i Andrej Vuçiç-it, vëllaut të presidentit serb.

Po ashtu, kryeministri i ardhshëm serb është edhe njëri nga bashkëpunëtorët më të ngushtë të sanksionuarit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, kriminelit Zvonko Veselinoviç, por edhe i biznesmenëve të tjerë serbë që merren me aktivitete kriminale.

Vuçeviç nuk është një emër i panjohur edhe për publikun në Kosovë. Ai është një vazhdimësi e politikave aktuale desabilizuese të pushtetit në Serbi karshi Kosovës.

Madje, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e kishte akuzuar atë drejtpërdrejtë si organizator të sulmit terrorist në Banjë të Zveçanit, ku kishte mbetur i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku.

Kurti, në një postim në Facebook më 23 tetor të vitit të kaluar, thoshte se organizator i sulmit terrorist të 24 shtatorit është “Klani i Novi Sadit”, në krye të të cilit, sipas të parit të ekzekutivit kosovar, është Vuçeviç.

“Sulmin paramilitar e terrorist në Banjë të Zveçanit e ka organizuar Klani i Novi Sadit. Në krye të tij ndodhet Ministri i Mbrojtjes së Serbisë, Millosh Vuçeviç. Ai është kryetari i partisë-shtet SNS, tri herë i zgjedhur kryebashkiak i Novi Sadit me ndihmën e Zvonko Veselinoviç-it, dhe miku më i afërt i vëllaut të Presidentit të Serbisë, Andrej Vuçiç”, shkruante Kurti.

“Rreth 40 pelegrinë ortodoksë në Manastir të Banjskës me 24 shtator ishin nga Novi Sadi. Ndoshta e rastësishme, hetimet duhet ta tregojnë. Grupi terrorist në arrati i udhëhequr nga Millan Radojiçiç po qëndron në Rashkë. Atyre MUP-i famëkeq serb iu ka ndarë vetura të tipit Shkoda Oktavia me ngjyrë të bardhë dhe të zezë e me tabela regjistrimi BG dhe… NS”, shtonte ai.

Sipas Kurtit, para dy dekadave në Serbi sundonte “Klani i Zemunit, kurse tash vendin atij ia ka zënë Klani i Novi Sadit. Kriminelë në luftë, kriminelë në paqe; kriminelë në Serbi, kriminelë në Kosovë. Presidenti i shtetit, Aleksandër Vuçiç, porsi një capo-di-tutti-capi, ndodhet aty për të dëshmuar që ndonëse krimi e dikton shtetin, në fakt, është shteti që e dikton krimin”.

Ndërsa, në periudhën e tij si Ministër i Mbrojtjes së Serbisë, gjatë kohës së tensioneve në Veri të Kosovës, disa herë ushtria serbe është urdhëruar që të jetë në gatishmëri të lartë.

Madje, më 27 tetor të vitit të kaluar, pak më shumë se një muaj pas sulmit terrorist në Banjë, vetëm një ditë pas takimeve që kishin pasur Albin Kurti e Aleksandër Vuçiç në Bruksel me liderët e Francës, Gjermanisë dhe Italisë e me përfaqësues të Bashkimit Evropian, kishte provokuar situatën duke deklaruar se serbët do të ishin “të lumtur ta shihnin Ushtrinë e Serbisë në Kosovë”.

Millosh Vuçeviç ka lindur në vitin 1974 në Novi Sad. Në biografinë zyrtare thuhet se ka mbaruar shkollën fillore “Vasa Stajiç” në vendlindje dhe gjimnazin “Jan Kolar” në Baçki Petrovac. Ai u diplomua në Fakultetin Juridik në Novi Sad në vitin 1999.

Pas mbarimit të universitetit, në biografinë e tij zyrtare, thuhet se shkoi për të shërbyer si ushtarak në Vranjë, e më pas në Gjilan, derisa nuk specifikohet nëse ka qenë pjesëmarrës apo jo në luftë.

Tutje, theksohet se nga 1999 deri në vitin 2012 ka ushtruar profesionin e avokatit në zyrën e avokatisë familjare.

Ai është anëtar i Partisë Progresive Serbe që nga viti 2008 – para kësaj periudhe nuk ka të dhëna për aktivitetin e tij politik. Ai u zgjodh president i bordit të qytetit të SNS në vitin 2011. Ai u bë nënkryetar i SNS në vitin 2016 dhe më pas u rizgjodh në atë pozicion në nëntor 2021.

Ai u zgjodh kryetar i komunës së Novi Sadit në shtator të vitit 2012, pas së cilës pushoi së punuari si avokat.

Ai u zgjodh kryetar bashkie për herë të dytë në korrik 2016, dhe për herë të tretë në shtator 2020.

Ai dha dorëheqje nga posti i kryetarit të Novi Sadit më 24 tetor 2022 dhe më 26 tetor u bë Zëvendëskryeministër dhe Ministër i Mbrojtjes në Qeverinë e Branbiç-it.

Gjatë kohës sa ka qenë në krye të komunës së Novi Sadit, ndaj Vuçeviç-it ka pasur akuza për korrupsion, si dhe për bashkëpunim me biznesmenë që merren me aktivitete kriminale, siç është rasti i Veselinoviç-it.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore