Lajme

ORCA: Universiteti i Gjilanit ndër universitetet publike më të dobëta në vend


Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim (ORCA), e drejtuar nga Rron Gjinovci, në një shkrim në llogarinë e tyre në Facebook, ka shkruar se Universiteti i Gjilanit është ndër universitetet publike më të dobëta në vend.

“Universiteti i Gjilanit është ndër universitetet publike me performancën më të dobët në publikime shkencore dhe justifikim të titujve akademikë. Me vetëm 57 punime shkencore nga 40 profesorë, apo 1.43 punime për kokë profesori, renditet në fund, vetëm para Universitetit të Prizrenit dhe Universitetit të Pejës në mesin e universiteteve publike”, shkruan ORCA.

Tutje, ata në raportin e tyre kanë bërë një përllogaritje ku shkruan se 65% e profesorëve në Universitetin e Gjilanit nuk i justifikojnë titujt e tyre akademik sipas kritereve të caktuara, gjë të cilën ata e cilësojnë si alarmante.

“E dhënë tjetër tepër shqetësuese e këtij raporti thotë se 53% e profesorëve nuk kanë asnjë punim shkencor të publikuar në revista ndërkombëtare sipas ligjeve dhe rregulloreve në fuqi. Për krahasim, 29% e profesorëve në Universitetin e Prishtinës nuk kanë asnjë punim të publikuar si autor i parë ose korrespondent”, shkruan ndër të tjera ORCA.

Sipas kësaj organizate këto të dhëna lidhur me performancën e dobët akademike të një institucioni publik universitar janë shqetësuese.

“Ky raport është përpiluar me ndihmë financiare nga Agjencia Austriake për Zhvillim në kuadër të projektit “Cilësi, Llogaridhënie, Integritet dhe Transparencë në Arsimin e Lartë – QAINT”. Pikëpamjet dhe mendimet e shprehura këtu, në asnjë mënyrë nuk mund ta pasqyrojnë mendimin zyrtar të Agjencisë Austriake për Zhvillim”, shkruan ndër të tjera ORCA.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore