Shqipëria

Opozita thërret protestë pas vdekjes së 32-vjeçarit gjatë shoqërimit policor


Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka bërë thirrje të premten e 21 tetorit për të protestuar para Ministrisë së Brendshme në orën 20:00.

Kjo, pas vdekjes së një 32-vjeçari gjatë shoqërimit nga efektivët e policisë drejt komisariatit.

Prokuroria e Tiranës dhe Agjencia e Mbikëqyrjes Policore zbuluan zyrtarisht shkaqet e vdekjes së tij.

Sipas njoftimit zyrtar, në trupin e viktimës është gjetur një qese plastike e çarë me ngjyrë të bardhë me përmasa 5×5 cm.

Kjo e fundit, e dyshuar si ambalazh i lëndës narkotike.

Autoritetet sqaruan se nga analizat e kryera dhe provat nuk kishte veprime të kundraligjshme të punonjësve të Policisë ndaj 32-vjeçarit.

Ngjarja

Sipas Prokurorisë në orën 23:07 të mbrëmjes së kaluar punonjësit e Komisariatit të Policisë Nr. 3 Tiranë, gjatë patrullimit në zonën e Laprakës kanë konstatuar një person duke qëndruar përpara një biznesi privat, për të cilin kushtet dhe rrethanat diktonin nevojën e një verifikimi.

Në momentin kur punonjësit e Policisë, i kanë kërkuar dokumentin e identifikimit, shtetasi është larguar me vrap, duke mos iu bindur thirrjeve të njëpasnjëshme të punonjësve të Policisë për të ndaluar.

Pasi ka vrapuar për rreth 200 metra, i ndjekur nga patrulla e Policisë, mes rrugicave midis rrugës “Riza Çuka” dhe “Don Bosko”, ai është kapur dhe ndaluar nga punonjësit e Policisë, vend në të cilin kanë qëndruar shtatë minuta.

Në vijim, pasi është qetësuar, shtetasi është shoqëruar në ambientet e Komisariatit të Policisë Nr. 3 ku ka shfaqur probleme shëndetësore, gjë e cila ka diktuar dërgimin në Spitalin e Traumës, ku është konstatuar humbja e jetës.

Nga veprimet hetimore të kryera, është dokumentuar i gjithë itenerari dhe veprimet e punonjësve të Policisë nga momenti kur shtetasit i kërkohet të identifikohet deri në shoqërimin e tij në ambientet e Komisariatit të policisë Nr 3.

Ky itenerar pasqyrohet në pamjet filmike të admnistruara nga pesë kamera të vendeve të ndryshme, deklarimet e personave të pranishëm, mes tyre dhe dy shtetas shokë të viktimës, si dhe nga deklarimet e punonjësve të Policisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore