Lajme

Opozita përkrah grevistët


Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu dhe deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami.

Pas vendimit të Ministrisë së Financave që t’u ndërpritet paga punëtorëve që i janë bashkuar grevës së Bashkimit të Sindikatave të Bashkuar të Kosovës kanë reaguar edhe deputetët nga opozita.

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu-Kodra përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’ ka thënë se Vetëvendosja në opozitë mbështeste hapur grevat.

“Sot në pushtet, vendimet e kësaj qeverie ndaj grevistëve janë skandaloze dhe nuk i ngjajnë aspak një shteti demokratik. Vetëm ish sistemet kanë penguar kërkesat e punëtorëve për mirëqenie më të lartë, pagë optimale e siguri në punë. Greva është e drejtë e garantuar me ligj”, ka shkruar ajo.

Edhe deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’ ka thënë se për këtë situatë duhet që Qeveria të gjejë zgjidhje.

“Partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, e ka për obligim të ulet me sindikalistet, të nisë dialogun social dhe të gjendet një zgjidhje për përfundimin e grevës. Vetëvendosje ka ardhur në pushtet duke premtuar zgjidhje për secilin problem në nivel lokal, në nivel qendror, në nivel mbarëkombëtar e ndërkombëtar”, deklaroi Bajrami.

Por, në vend të zgjidhjeve ajo konsideron se Qeveria ka zgjedhur një tjetër rrugë.

Dokument i BSPK-së.

“Ideja për t’i ndëshkuar sindikalistët grevistë është vepër penale dhe nuk mund të realizohet në një shtet demokratik siç është Kosova. Ne kemi në fuqi Ligjin për Grevat, i cili i ka dhënë të drejtë punëtorit të organizojë grevë të ligjshme dhe i ka dhënë mbrojtje se askush s’mund të marrë masa ndaj tij pse ka hyrë në grevë të ligjshme”.

Bazuar në dokumentin që Ministria e Financave ia ka dërguar grevistëve thuhet se zyrtarët që i janë bashkuar grevës pezullohen nga e drejta për pagesë dhe detyrimi i bindjes për të punuar.

“Pra, kjo i bie që edhe nëse për një orë një zyrtar është në grevë, për një orë nuk ka përgjegjësi për të punuar dhe nuk paguhet”, thuhet në dokument.

Rreth këtij vendimi ka reaguar edhe Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut pasi të njëjtit konsiderojnë se kërcënimi i qeverisë për ndalje të pagës është shkelje e të drejtave të njeriut.

Ndërkaq KMDLNJ ka apeluar tek Qeveria që “t’i ulë armët e kërcënimet dhe të gjejë një zgjidhje bashkë me sindikatat”.

Gjithashtu, ka ftuar sindikatat që të përpiqen t’i shmangen grevës së përgjithshme deri në shterjen e të gjitha mundësive.

Sindikata e Bashkuar, Arsimit dhe Shkencës dhe Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës në ditën e parë të Grevës së Përgjithshme kanë vizituar çerdhen “Yllkat”.

Me këtë rast Jasharaj, tha se greva nuk do të përfundoj pa u përmbushur të gjitha kërkesat e tyre.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore