Lajme

Opozita për Adem Demaçin: Ishte frymëzim për brezat e sakrificës, s’kemi një personalitet të dytë si ai


Ramush Haradinaj dhe Memli Krasniqi.

Ish-kryeministri i Kosovës dhe kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka kujtuar veprimtarin e çështjes kombëtare, Adem Demaçi, në 5 vjetorin e vdekjes.

Ai deklaroi se secili vit i jetës së bacës Adem, ishte frymëzim për brezat e sakrificës, që kulmoi me luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Në 5-vjetorin e kalimit në përjetësi, kujtojmë sot veprimtarin e dalluar të çështjes kombëtare, kolosin shqiptar, Adem Demaçi”.

“Secili vit i jetës së bacës Adem, ishte frymëzim për brezat e sakrificës, që kulmoi me luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ai nuk u ndal asnjëherë së angazhuari për realizimin e idealeve për të cilat kishte kaluar tri dekada në burgjet famëkeqe serbe”, ka shkruar Haradinaj në rrjetin social ‘Facebook’.

I pari i AAK-së tutje ka thënë se janë mirënjohës për rrugëtimin e Demaçit.

“Baca Adem do të mbetet përgjithmonë në kujtesën historike si njeriu i hekurt që nuk e mposhtën as torturat më mizore të regjimit serb. Mirënjohës përjetë rrugëtimit të tij jetësor në shërbim të atdheut”.

Edhe kryetari i Paritsë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi e ka kujtuar Adem Demaçin me njërën nga deklaratat e tij.

“Unë, edhe sikur të jetoja për së dyti, këtë rrugë do ta zgjidhja, sepse edukata e nënës, mësuesve, arsimtarëve të mi, ka qenë në frymën që atdheu, kombi është mbi të gjitha” – kështu deklaronte Adem Demaçi në një intervistë dhënë pas luftës në Kosovë”.

“Të gjithë e dimë se kjo nuk ishte vetëm një deklaratë, por, një amanet i përmbushur. Përgjatë një jete me sakrifica, Adem Demaçi jetoi me dhe për atë ideal, duke e përmbushur dhe arritur më shumë se sa mund të pritet nga çdo njeri tjetër”.

Ai tutje ka thënë se përveç se kishte “vullnet të palëkundur” për të sakrifikuar lirinë, e transformoi edhe Kosovën në një vend tjetër.

“Prandaj, kur pesë vite më parë ne humbëm një nga personalitetet më të veçanta dhe më të guximshme të popullit tonë, ai u largua vetëm fizikisht, sepse, tashmë Adem Demaçi u përket epokave”.

“Nëpërmjet karakterit dhe vullnetit të palëkundur për të sakrifikuar lirinë e tij për lirinë e të tjerëve, Baca Adem e transformoi Kosovën, duke nxitur shpirtin liridashës në çdo familje, në çdo individ”.

Teksa ka deklaruar se edhe për të Demaçi, është frymëzim.

“Personalisht, edhe unë jam një nga miliona qytetarë shqiptarë të cilët janë frymëzuar nga jeta e Adem Demaçit”.

“Meqë nuk do të kemi një personalitet të dytë si ai, na takon neve të përcjellim sa më mirë shembullin që ai dha: Të marrim vendime për të udhëhequr jo nga urrejtja, por, nga dashuria dhe të përpiqemi për një të ardhme që është e denjë për sakrificën e tij”.

Një njeri që mori historinë në duart e tij dhe përkuli harkun moral të universit drejt drejtësisë”.

Figura e Demaçit në historinë e vonë të Kosovës është thesar më vete, si një nga artikuluesit e parë të thirrjeve për bashkim të Kosovës me Shqipërinë qysh në vitin 1959; nga kur edhe do të fillonte jeta e tij e rezistencës së madhe, për çka edhe do të mbante 28 vite burg në kohërat shtypëse të shqiptarëve nën ish-Jugosllavi.

Demaçi nga vetë Parlamenti Evropian ishte dekoruar me Çmimin Saharov për Paqe në vitin 1991, çmim të cilin e mbanin figura të mëdha botërore si Nelson Mandela.

Janë një numër çmimesh ndërkombëtare që Demaçi, me shembullin e tij të personifikuar prej liridashësi, i ka pranuar.

Demaçi është po ashtu autor i veprës së madhe letrare shqipe “Gjarpijt e gjakut”, ku si temë bosht e ka gjakmarrjen në viset shqiptare.

 

Adem Demaçi ndërroi jetë në moshën 82 vjeçare në Prishtinë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore