Lajme

Opozita në Kosovë: Kujdesuni për vete se Qeveria dembele ka dezertuar


Albin Kurti dhe Arben Vitia në një konferencë të përbashkët për media

Si “qeveria më dembele” e ka konsideruar kabinetin qeveritar të Albin Kurtit, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdhixhiku, kur ka shprehur shqetësimin e tij për situatën me COVID-19 në një postim në Facebook.

Për Abdixhikun është krejt absurde se si është vendosur të mos ketë vaksinime gjatë vikendit, kur shifrat janë më të mëdhatë prejse pandemia ka filluar.

“Plot 1 mijë e 128 raste të reja në ditë. Po aq, nga një mijë secilën ditë, tre mijë për tre ditë, numra rekord gjatë gjithë pandemisë. Gjashtë kosovarë të vdekur në kaq pak kohë”, rikujton ai.

“Do t’iu thoja vaksinohuni, siç dhe ju themi çdo ditë e për ditë, por ku të vaksinoheni sot kur Qeveria më dembele në Evropë ka vendosur t’i mbyllë qendrat e vaksinimit në kulmin rekord të pandemisë. Ku t’i merrni vaksinat sot kur shteti është, me vetëdije, në pushim vikendi?”.

news image
Lumir Abdixhiku, kryetar i LDK-së

Sipas liderit të opozitës, “një vend kaq i vogël si i Kosova, vazhdon t’i ketë 80 për qind e popullatës ende të pa vaksinuar”.

“Qendrat janë të pamjaftueshme edhe po të hapeshin në plotni. As tre turne s’bëjnë punë në kulm të shpërthimit masiv. Në vend të një administrimi kolektiv, gjithënacional, që përfundon në pak ditë, Qeveria jonë zgjedhë pushim”.

Ai bënë thirrje qytetarëve që të vaksinohen, “kurdo që vendos Qeveria të punojnë”.

“Këta kanë dezertuar kujdesin për pandeminë. S’merren me të, sikurse me asgjë. Prandaj kujdesuni për vete!”.

 

Qytetarët janë braktisur, sipas PDK-së

Përshkrim të njëjtë Qeverisë i ka bërë edhe deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu, po në Facebook.

Sipas Haxhiut, dezertimi konsiston në faktin që në kulmin e pandemisë, Kurti vendosë që ministrin e Shëndetësisë ta fus në garë për kryetar të Komunës së Prishtinës.

“Albin Kurti dhe Arben Vitia po dezertojnë nga detyrat dhe përgjegjësitë që kanë marrë në pikun më të lartë të pandemisë COVID-19, kur në 24 orë e fundit janë shënuar 1128 raste të reja me COVID-19 dhe janë vaksinuar plotësisht me dy dozat vetëm 9.48% të qytetarëve të Kosovës”, ka shkruar Haxhiu.

Sipas Haxhiut, Kurti me kandidimin e Vitisë për kryetar të Prishtinës, tregoi se po i braktisë qytetarët të cilët nuk janë vaksinuar.

“Albin Kurti me kandidimin e Arben Vitisë për kryetar të Prishtinës po tregon qartë se po i braktisë 90.52% të qytetarëve të pa vaksinuar, sepse lufta për pushtet është prioritet i tij dhe jo beteja me pandeminë COVID-19 dhe vaksinimi i qytetarëve. Shëndeti dhe jeta e qytetarëve nuk janë prioritet për Albin Kurtin dhe Arben Vitinë, por kolltuku i pushtetit të kryetarit të komunës së Prishtinës”.

Bekim Haxhiu
Bekim Haxhiu, deputet i PDK-së

Haxhiu shtoi se, “kandidimi i Arben Vitisë paraqet fytyrën e vërtetë të Albin Kurtit, që për të arritur në kolltukun e pushtetin është në gjendje të shkel mbi shëndetin dhe vdekjet nga COVID-19”.

Edhe, anëtari i kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) Betim Gjoshi, përmes një postimi në Facebook tha për kandidaturën e Vitisë se është një doktor i cili po largohet nga beteja më e madhe e jetës së tij profesionale.

“Arben Vitia është një doktor që po ik nga beteja më e madhe e jetës së tij profesionale – beteja e ballafaqimit me pandeminë”, shkroi Gjoshi.

Betim Gjoshi
Betim Gjoshi, anëtar i Kryesisë së PDK-së

Ndërkaq tha se, “kandidimi i Doktor Mindilit është tregues i qartë se shëndeti i qytetarëve nuk ka qenë kurrë prioritet i kësaj qeverie dhe është dështim në menaxhimin e pandemisë”.

Të premten, Feim Tahirsylaj, këshilltar i kryeparlamentarit Glauk Konjufca, në një postim në Facebook, ka konfirmuar se Ministri i Shëndetësisë do të jetë kandidat për të parin e kryeqytetit.

“Na pret një fitore e madhe në Prishtinë. Mirë se vjen Arben Vitia – kryetari i ardhshëm i Kryeqytetit”, ka shkruar Tahirsylaj në Facebook.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore