Lajme

Opozita kritikon qeverinë për menaxhimin e pandemisë, ngre dyshime se një pjesë e vaksinave janë pa afat


Komisioni për Shëndetësi

Në Komisionin për Shëndetësi ku është diskutuar për situatën e pandemisë me COVID-19 në Kosovë, pas rritjes së numrit të rasteve të infektuar me variantin Omicron, anëtari i këtij komisioni nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu, ka ngritur dyshimet se një numër i konsiderueshëm të vaksinave iu ka skaduar afati.

Sipas Haxhiut një gjë të tillë po e mban të fshehtë Ministria e Shëndetësisë.

“Kjo është e papranueshme që institucionet shëndetësore me ra në ndikim politik që të prezantohet gjendja me pandeminë dhe të zvogëlohet numri i testimeve. Ne e dimë se si është situata. Masat nuk janë relevante në raport me situatën pandemike. Do të duhej të kishte një llogaridhënie, sa i përket imunizimit të qytetarëve dhe dështimit me vaksinim”, ka deklaruar Haxhiu.

Ai madje ka propozuar që të vizitohet vendi ku po mbahen vaksinat.

Bekim Haxhiu

Edhe deputeti Shemsedin Dreshaj nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës ka deklaruar se situata me pandeminë nuk është e mirë.

“Kemi pasur rritje prej 3 deri në 15 për qind për dy javë. Katërfish rritje në popullatë, katërfish rritje në javë. Një situatë e tillë implikon domosdoshmërinë e kalimit prej fjalëve në vepra. Nuk janë duke u respektuar rregullat. Nuk është koha të ashpërsojmë masat, por të aplikojmë masat standarde. Janë katër paralele që 90 për qind janë të infektuar”, ka deklaruar ai.

Shemsedin Dreshaj

E, deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj u shpreh se Qeveria Kurti ka hequr dorë në menaxhimin e kësaj pandemie.

“Pandemia nuk menaxhohet online. Ka tre muaj që nuk është diskutuar për menaxhimin e pandemisë. Këto nuk po i shohim, përndryshe do të hyjmë në pasojë të verës”, ka thënë ai.

Armend Zemaj

Në anën tjetër kryetarja e komisionit në fjalë, Fatmire Mulhaxha-Kollçaku tha se nuk ka vend për shqetësim, megjithatë ajo ka propozuar që duhet të raportojë ministri i Shëndetësisë, drejtori i IKShPK-së dhe i ShSKUK-së.

“Mbi 700 raste brenda ditës në bazë të testimeve. Kryesisht është varianti Omicron por edhe me Delta. 90 pacientë që po trajtohen në ShSKUK, 52 të konfirmuar janë pozitivë. Nuk ka vend për shqetësim të madh. Desha të propozojë që të vlerësojmë së bashku dhe të ftojë drejtorin e ShSKUK-së dhe ministrin e Shëndetësisë”, ka thënë ajo.

Fatmire Mulhaxha-Kollçaku

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore