Lajme

Opozita kritikon “menaxhimin e pandemisë COVID-19”


Deputeti i LDK-së Armend Zemaj

Shefja e Grupit Parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila në seancën e të enjtes ka kërkuar nga qytetarët që të vaksinohen kundër COVID-19.

Kusari-Lila ka thënë se statistikat e fundit janë alarm për ndërmarrjen e masave.

“Statistikat e ditëve të fundit dhe ato të ditës së djeshme shënojnë zilen e alarmit për të gjithë ne për institucionet dhe masat e reja që mund apo duhet të ndërmerren për të parandaluar shpërndarjen e virusit. I vetmi parandalim për të mos shkuar në mbyllje dhe masa më rigoroze, qytetarë të dashur është vaksinimi”, ka thënë Kusari-Lila.

Ajo ka shtuar se ditëve të fundit ka dëgjuar shumë teori konspirative lidhur me mos vaksinim.

“Vaksinimi nuk ndalohet për persona me probleme të ndryshme shëndetësore. Vaksinimi nuk ndalohet për ata që udhëtojnë me aeroplan, në të kundërtën rekomandohet. Vaksinimi nuk ndalohet as për gratë shtatzëna përveç në raste shumë specifike. Vaksinimi nuk len pasoja, infektimi po”.

Kusari-Lila ka kërkuar edhe ri aplikimin e masave siç janë bartja e maskave, distanca dhe kujdesi nga tubimet e përbashkëta.

Po ashtu, Shefi i Grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri gjatë seancës së Kuvendit të Kosovë kërkoi nga Qeveria e Kosovës që të merren masa të reja në luftën kundër COVID-19.

“I bëj thirrje Qeverisë së Republikës së Kosovës të mos veprojë sikur këtë javë që pavarësisht thirrjeve nuk duket se janë rritur masat, në ndihmë të institucioneve të Kosovës në luftën kundër COVID-19. Sot na duhet angazhim më i madh se kurrë në fuqizimin e spitaleve rajonale dhe QKUK-së”, tha Tahiri.

Ai u shpreh se nëse nuk ka angazhim të Qeverisë, do të jemi vendi me më së paku të vaksinuar.

“I bëj thirrje ministrit Vitia dhe Qeverisë që të kenë një angazhim më të madh. Java tjetër të jetë me masa shtesë”, kërkoi Tahiri në emër të deputetëve të PDK-së.

Ndërkaq, Deputeti i LDK-së, Armend Zemaj, ka thënë se situata me pandeminë COVID-19 në vend është alarmante.

Ai ka kritikuar edhe qasjen e Qeverisë sa ishin në opozitë karshi menaxhimit të pandemisë që atë kohë ishte LDK në pozitë.

“Në vazhdimësi kemi insistuar dhe kemi shprehur gatishmërinë që të japim kontribut në vlerësimin e situatën e pandemisë. Nuk do ta përdorim sot shprehjen e vdekjeve nga COVID-19 ashtu siç e përdoreshit ju vrasje, është tepër e ultë. Por as rritjen e numrit të rasteve ta përdorim si katastrofë humanitare. Rritja enorme brenda javëve, situata është alarmante dhe mund të përkthehet në humbje të jetës së njerëzve”, ka thënë Zemaj.

Ai ka kërkuar nga Qeveria t’i kthehet realitetit e jo krahasimeve e etiketimeve.

“Në emër të LDK-së ju ftojmë ti riktheheni punës, deri në eliminimin e kësaj situate”, ka thënë Zemaj.

Ndërsa, Bekim Haxhiu nga Partia Demokratike e Kosovës pati kritika për Qeverinë Kurti që nuk janë duke u angazhuar lidhur me situatën e pandemisë COVID-19.

“Për shkak të kësaj, qytetarët do të penalizohen, do të vuajnë nga COVID-19 për shkak të papërgjegjësisë, dështimet e Albin Kurtit dhe Arben Vitisë”.

Haxhiu shtoi se “Qeveria ka dështuar të realizojë vaksinimin masiv të premtuar, në planifikim, në sigurim të vaksinave dhe ka dështuar në administrim të procesit të vaksinimit”.

Ai deklaroi se me situatën e pandemisë COVID-19 në Kosovë janë duke u merrë njerëz të cilët nuk kanë përvojë të mjaftueshme.

“Qeveria vendosi në krye të procesit njerëz pa përvojë, ka anashkaluar profesionistët që gjatë kësaj periudhe kohore nuk i kemi parë në media”.

Edhe Time Kadrijaj nga AAK apeloi tek qytetarët që të vaksinohen, sepse me trendin e rritjes se rasteve do të ketë kolaps në shëndetësi.

“Nuk do të kemi kapacitete spitalore për t’i trajtuar të infektuarve, trajtimi për COVID-19 ka një kosto të lartë andaj qeveria duhet të kujdeset që të gjitha institucionet shëndetësore spitalore që t’i furnizojë me barna adekuate për trajtimin e COVID-19”.

Në Kosovë, prej 13 marsit 2020, kur janë regjistruar rastet e para të infektimit, autoritetet shëndetësore në Kosovë kanë regjistruar 111 mijë e 644 pacientë me këtë virus. Prej tyre 2 mijë e 274 kanë vdekur.

Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës njoftoi më 11 gusht se 186 pacientë janë të shtrirë në klinikat ku trajtohen pacientët me COVID-19 dhe në spitalet e përgjithshme.

Prej këtij numri, 136 pacientë janë të konfirmuar pozitivë me Coronavirus. Dy prej tyre janë në gjendje të rëndë shëndetësore, ndërkaq 117 të tjerë po trajtohen me oksigjeno terapi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore