Lajme

Opozita e fton Kurtin në Kuvend për raportim të situatës në Veri


Kuvendi i Kosovës.

Shefi i grupit parlamentar nga radhët e Partisë Demokratike e Kosovës (PDK), Abelard Tahiri, ka njoftuar se kanë ftuar kryeministrin e Kosovës Albin Kurti në seancën e ardhshme të Kuvendit të Kosovës që të raportoj rreth situatës në Veri dhe raporteve me SHBA-në dhe Bashkësinë Ndërkombëtare.

Ai pas mbledhjes së kryesisë së Kuvendit ka deklaruar se në një situatë tillë nuk mund të rrinë duarkryq.

“Ne nuk mund që të qëndrojmë duarkryq dhe duhet t’i marrim përgjegjësitë tonë dhe angazhimet në mënyrë që të arrijmë ta sanojmë dëmin që e ka shkaktuar kjo Qeveri dhe kryeministri Kurti”.

“Si grupe parlamentare të opozitës bashkërisht kemi kërkuar që ta kemi sa më shpejt një raportim të kryeministrit në Qeveri dhe në raport me aleatet tonë dhe në veçanti me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”.

“Pra, si grupe parlamentarë opozitare kemi kërkuar që në momentin që kryeministri të kthehet në Forumi të vij në Kuvend dhe të raportoj sepse nuk ka asnjë kuptim që të mbahen seanca të tjera pa e pasur një raportim nga ana e kryeministrit”, ka thënë Tahiri.

Foto: REL.

Sipas tij, një qasje e tillë e kryeministrit me SHBA-në ka qenë vazhdimisht e tillë.

“Që nga fillimi, që nga koha kur e ka marrë kryeministri por edhe në qeverinë e parë edhe në qeverinë e dytë ne e kemi parë që qasja e kryeministrit me SHBA-në ka qenë vazhdimisht problematike dhe vazhdimisht jemi përballur edhe me kërcënime”.

Tahiri, ka shtuar se është shumë e dhimbshme ajo çfarë i ka ndodhur Kosovës të martën e 30 majit.

“Është e papranueshme dhe është shumë e dhimbshme që për herë të parë merr në një ushtrim ndërkombëtarë siç ishte ‘Defender Europe 2023’ dhe të përjashtohet pikërisht në fillimet e saja”.

“31 maji i këtij viti Kosovën, e gjen në një pozicion jashtëzakonisht të dëmshëm dhe të palakmueshme. Një vend i cili është çliruar prej Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe sot 31 maji e gjen vendin tonë në ballinën e gazetave më të mëdhaja botërore, si një vend që tashmë është sanksionuar nga SHBA-të, kjo është e dëmshme dhe e papranueshme”.

Edhe shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, tha se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti po sillet në mënyrë “tekanjoze” dhe “të paarsyeshme”.

“Situata nëpër të cilën po kalon vendi është jashtëzakonisht delikate, prandaj ne nuk mund të sillemi sikur nuk po ndodh asgjë. Ajo çka po shohim këto ditë në pjesën veriore të vendit është jashtëzakonisht e ndjeshme dhe kërkon sjellje të vetëdijshme politike dhe po ashtu veprime, të cilat janë në interes të vendit”.

Madje, sipas tij një udhëheqës i tillë nuk i duhet Kosovës.

“Kryeministri i Kosovës për momentin duket se ka një sjellje tekanjoze dhe të paarsyeshme sidomos me deklaratat të cilat i bën në drejtim të zyrtarëve më të lartë të vendeve partnere, të cilat janë të panevojshme, të paarsyeshme, të palogjikshme dhe absurd”.

“Pra, një kryeministër i tillë nuk i duhet Kosovës, një sjellje e tillë e Kosovës me partnerët ndërkombëtarë nuk i duhet hiç se hiç, neve sot më shumë se kurrë na duhet uniteti i brendshëm dhe bashkëpunimi i palëkundur ndërkombëtar”, tha Gashi.

Teksa për deklaratat e SHBA-ve ka thënë se janë mjaft shqetësuese.

“Edhe deklarata e parë dhe e dytë e sekretarit Blinken po ashtu janë shqetësuese, por mendoj se Kosova duhet të shohë interesin shtetëror, institucionet e Kosovës duhet të shohin interesin shtetëror dhe të ruajnë raportet me SHBA-të, pra është interes shtetërore ruajtja e raporteve me SHBA dhe në këtë rast institucionet e kanë këtë përgjegjësi”.

Dita e katërt që serbët po protestojnë në Veri

Është dita e katërt me radhë që serbët në Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok po protestojnë, duke kundërshtuar kryetarët e rinj shqiptarë.

Më 26 maj, tensionet në Veri u rritën, atëherë kur krerët e rinj të Zveçanit, Leposaviqit dhe Zubin Potokut, kishin hyrë nën përcjelljen e policisë në ndërtesat komunale.

Ndërkaq, më 29 maj, protestuesit u përleshën me trupat e misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR.

Nga kjo përleshje 41 trupa të KFOR-it u lënduan dhe dhjetëra protestues.

Ambasadorët e Shteteve të Bashkuara të Amerikës e Britanisë së Madhe kanë kërkuar që të ndalet menjëherë dhuna ndaj pjesëtarëve të KFOR-it.

Kryetarët e rinj shqiptarë u zgjodhën në zgjedhjet e parakohshme të 23 prillit.

Këto zgjedhje u mbajtën pas dorëheqjes së kryetarëve të mëparshëm komunale nëntorin e 2022.

Kryetarët e mëparshëm vinin nga Lista Serbe partia kryesore e serbëve në Kosovë, e cila nuk mori pjesë në zgjedhje dhe procesi u bojkotua nga serbët lokalë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore