Lajme

“Opinioni për aplikimin e Kosovës në KiE shpaloset më 27 mars në Paris”


Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, ka njoftuar se është nisur për në Paris të Francës ku si anëtar në Komitetin për barazi dhe jo-diskriminim në kuadër të Këshillit të Evropës, do të marrë pjesë në diskutimin për çështje tematike të Komitetit, derisa ka potencuar se do ketë takime edhe rreth anëtarësimit të Kosovës në KiE.

“Dy momente janë me rëndësi në këto javë. Takimi që do të mbahet më 27 mars 2024 i Komisionit për Politikë dhe Demokraci. Ky takim është i jashtëzakonshëm me pikën e vetme, aplikimin e Kosovës. Raporti duhet të votohet me 1/2, pra 27 deputetë duhet të votojnë në Komitet dhe të dërgohet në seancën plenare në PACE për votim. Në Asamblenë Parlamentare kërkohen 2/3 e votave”, shkroi Tahiri në Facebook.

Ndryshe, Kosova në shtator të vitit të kaluar, u vizitua nga juristët eminentë, Spiliopolou Akermark dhe Thomas Markert. Vizita e tyre ishte në kuadër të procesit të anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës.

Misioni faktmbledhës i tyre disa ditor kulmoi me një raport, në të cilin ndër të tjera kërkohet themelimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, zbatimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese për Manastirin e Deçanit, reforma për të përmirësuar efikasitetin e sistemit gjyqësor e përmbajtja nga përdorimi i forcave speciale të Policisë së Kosovës në Veri të Kosovës.

Raporti 28 faqesh i publikuar nga Këshilli i Evropës është ndarë në gjashtë pjesë ku analizohet korniza kushtetuese e Kosovës, Demokracia, Zbatimi i Ligjit e Drejtat e Njeriut.

Disa nga konkluzionet kyçe të kësaj raporti të Këshillit të Evropës sugjerojnë që Qeveria e Kosovës të braktisë kundërshtimin e saj ndaj themelimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe duke vënë në jetë një mekanizëm të tillë, sa më shpejtë që të jetë e mundur.

Raporti i Këshillit të Evropës ndër të tjera vlerëson se Qeveria e Kosovës duhet të respektojë pa vonesa të mëtejshme aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese në rastin e Manastirit të Deçanit.

Javën e kaluar, Qeveria e Kosovës urdhëroi që Agjencia Kadastrale ta ekzekutojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese që 24 hektarë tokë t’i barten Manastirit të Deçanit.

Kosova aplikoi në Këshillin e Evropës në maj të vitit 2022 ndërsa Komiteti Ministror ia ka përcjellë Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës kërkesën për anëtarësim të Kosovës në këtë organizëm ndërkombëtar, në prill të vitit 2023, që shënon hapin e parë drejtë anëtarësimit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore