Opinione / Editoriale

Qëndrimi i Evropës karshi Ukrainës të kujton atë me luftërat në ish-Jugosllavi


Gerta Zaimi Kryeredaktore e Albanian Post

Gjendemi përballë një konflikti, i cili ekziston prej tetë vitesh në truallin e Ukrainës dhe që, deri tani, ka lënë rreth 14 mijë të vdekur. Ndërsa, prej dy muajsh po pëson escalation-in e tij më të madh.

Rusia e anashkalon plotësisht sovranitetin e Ukrainës, duke konsideruar influencën e saj në vend si një të drejtë historike. Kjo arsyeja e aneksimit të Krimesë dhe Sevastopolit, kjo arsyeja që ushtarakisht e financiarisht mbështet separatistët në rajonin e Donbass-it.

Në emër të kësaj të drejte historike për të cilën shkel si Memorandumin e 1994-s (traktat që e bëri Ukrainën të hiqte dorë nga armët bërthamore), po ashtu dhe Aktin Themelues të 1997-s, Moska dërgon mbi 100 mijë trupa në kufijtë e saj me Ukrainën, duke e kërcënuar e duke krijuar presion ushtarak dhe psikologjik.

Nëse Moska ka vendosur ta pushtojë realisht Ukrainën, kjo nuk dihet, edhe pse ajo vetë deklaron që “jo”.

Por, kërcënimi i pasojave të rënda nëse Ukraina do të bënte diçka provokuese, trupat në kufi me të (të cilat ndoshta nuk janë forca të mjaftueshme për të pushtuar vendin, por bollshëm për të pushtuar rajonin separatist dhe pro-rus të Donbass-it ku aktualisht në këto vite janë dhënë mbi 500 mijë pasaporta ruse) nuk lënë sigurisht shumë hapësirë për të besuar në fjalët e Moskës.

Për më tepër, Putin e ka treguar veten me Çeçeninë në 1999, Gjeorgjinë në 2008, vetë Ukrainën në 2014 dhe Sirinë në 2015.

Ku është Evropa në këtë krizë, ku mjafton një shkëndijë e vogël dhe një luftë e re në kufijtë e saj të shpërthejë?

Nga njëra anë, SHBA-të dhe Mbretëria e Bashkuar besojnë se trupat në kufi sugjerojnë hapjen e një konflikti të armatosur, kurse Evropa, e varur për furnizimet e saj me gaz kryesisht nga Moska e ka më të vështirë të mbajë një qëndrim të unifikuar.

Gjermania, për shembull, nuk sheh një rrezik të afërt, aq sa avionët antitank të dërguar nga Londra në Ukrainë janë detyruar të shmangin hapësirën ajrore gjermane.

Që në momentet e para të krizës, SHBA-të filluan diskutimet e tyre dypalëshe me Rusinë dhe, rregullisht, evropianët kanë qenë të informuar.

Evropa, edhe pse në të kaluarën ka qenë e përfshirë në diskutimet e vazhdueshme me Rusinë në lidhje me Ukrainën, për gjetjen e një zgjidhjeje në Donbas, kësaj radhe nuk po merr pjesë direkt në diskutime.

Në dhjetor 2021, BE-ja doli me deklaratë se një agresion i armatosur kundër Ukrainës do të kishte “pasoja masive dhe kosto të rënda”.

Por, kur presidenti amerikan, Joe Biden, njoftoi planet për të vendosur potencialisht 8 mijë e 500 trupa në Evropën Qendrore dhe Lindore për të ndihmuar në mbështetjen e mbrojtjes së NATO-s në rast të një sulmi rus, nga Brukseli, Berlini, Roma dhe Parisi zyrtarët u treguan të kujdesshëm në pozicionimin e tyre në këtë krizë. Akoma politikat e jashtme të kancelarive të ndryshme evropiane nuk janë në gjendje të qartësojnë se cilat do të jenë këto masa, duke lënë vend për çarje dhe dobësi brenda bllokut perëndimor.

Ky nuk është më momenti i dilemave.

Evropa duhet ta shohë krizën për atë që është!

Bashkimi duhet të bjerë dakord për një mesazh të qartë, të bashkuar dhe të vendosur kundrejt Moskës. Do të jetë e vështirë që SHBA-të të plotësojnë kushtet e vendosura nga Rusia në këtë lojë force. Ndaj ndërgjegjësimi i BE-së, si partner i besueshëm përballë krizës, është i nevojshëm.

Konflikti ende mund të shmanget, por nëse do të shpërthente një luftë, vendet e tjera të rajonit do të ishin gjithashtu në rrezik, veçanërisht republikat baltike: Estonia, Letonia dhe Lituania.

Fuqitë evropiane, sakaq, po dërgojnë përforcime: Danimarka, për shembull, po dërgon një fregatë dhe avionë luftarakë F-16 në Lituani; Spanja po dërgon katër avionë luftarakë në Bullgari dhe tre anije në Detin e Zi për t’u bashkuar me forcat detare të NATO-s, ndërsa Franca është gati të dërgojë trupa në Rumani.

Sanksionet e mundshme, me shumë gjasë, do të shkaktojnë edhe një kosto për ekonomitë evropiane, por çdo agresion kundër Ukrainës duhet të sanksionohet.

Vladimir Putin di të luajë shumë mirë aty ku gjen boshllëk pushteti.

Siç bëri në Lindjen e Mesme, me daljen e SHBA-ve nga skenarët, po ashtu di si të luajë me ndarjet midis evropianëve. Dhënia e kësaj mundësie do të ishte katastrofike.

Washington-i dhe Brukseli duhet të dërgojnë një mesazh unitar, të qartë dhe të vendosur. Bëhet fjalë për të ardhmen e kontinentit tonë, atij evropian.


Lajmet kryesore