Shqipëria

Operacioni “Bregdeti Ynë”: Tetë procedime, mijëra konfiskime


Ka vazhdtuar të enjten Operacioni “Bregdeti Ynë”, për lirimin e plazheve nga çadrat dhe shezlonët e jashtëligjshëm dhe si rrjedhojë në procedim kanë kaluar tetë shtetas, e janë konfiskuar mijëra materiale.

Sërish, aksioni është shtrirë nga Velipoja në Vlorë, duke kryer evidentime në shumë subjekte.

Një aksion i madh është zhvilluar në Durrës, ku është kryer dhe numri më i lartë i procedimeve. Kanë qenë shtatë persona, të cilët janë evidentuar në shkelje.

Gjatë kontrollit të 80 subjekteve, janë konfiskuar 478 shezlonë dhe 239 çadra. Operacioni ndërkohë vijon në vijën bregdetare durrsake.

Po ashtu, edhe Velipoja është nën ethet e aksionit policor, pas vrasjes së bujshme të katër personave, pikërisht për çështjen e shfrytëzimit të rërës së plazhit.

Më 1 korrik është proceduar penalisht një shtetase në Velipojë. Ndërsa, janë kontrolluar 46 subjekte dhe janë konfiskuar 60 shezlonë e 30 çadra.

Kanë qenë 16 subjekte të kontrolluara në Shëngjin, por pa hasur shkelje.

Në Kavajë, kryesisht në plazhin e Golemit dhe Spillesë, janë evidentuar 16 parcela pa leje. Katër prej tyre ishin vendosur në plazhe publike dhe 12 kishin mosplotësim dokumentacioni.

Në tërësi, gjatë ditës së sotme, janë konfiskuar 490 çadra dhe 980 shezlonë.

Dje ndërkaq, nga kontrolli në 101 parcela, janë evidentuar 28 me probleme. Prej tyre, u konfiskuan 802 çadra dhe mbi 1 mijë e 600 shezlonë.

Vijimësia e aksionin pritet të shtrihet gjatë korrikut, në pjesët ende të pakontrolluara.

Mbi ata që janë ende në pritje të përgjigjes nga e-Albania, janë lënë të vijojnë punën. Gjithsesi, duhet të kryejnë procedurat e mëtejshme për të vazhduar gjatë gjithë verës me aktivitetin.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore