Lajme

OKB-ja: Politika po pengon procesin e kërkimit të pagjeturve në Kosovë


Fabian Salvioli, raportues Special i Kombeve të Bashkuara për promovimin e së vërtetës dhe drejtësisë, pas vizitës së tij në Kosovë dhe Serbi ka thënë se në vitet e fundit progresi ka ngecur në mënyrë alarmante, i nxitur nga mungesa e bashkëpunimit midis autoriteteve në Beograd dhe Prishtinë, raporton Al Jazeera.

Sipas raportit, politizimi i kërkimit të personave të zhdukur për qëllime politike shkaktoi zhgënjim të madh në shoqërinë civile dhe komunitetin ndërkombëtar, por mbi të gjitha te viktimat.

“Familjet e personave të zhdukur janë kthyer në peng të interesave politike, por edhe të mosgatishmërisë së autoriteteve për të marrë masat e nevojshme për t’i dhënë fund vuajtjeve të tyre”, thuhet në raport.

Po ashtu në raport potencohet se sikur vendimmarrësit në Serbi dhe Kosovë kanë nisur një garë negative në programet e tyre të kërkimit të së vërtetës dhe përgjegjësisë penale.

“Kjo garë shkatërruese shkel të drejtat e viktimave, pengon kohezionin social, minon ndërtimin e besimit institucional dhe në fund të fundit, parandalon paqen e qëndrueshme”.

Raportuesi Special Salvioli u bën thirrje autoriteteve përkatëse në Serbi dhe Kosovë që menjëherë të ndalojnë përdorimin e taktikave të politizuara në programet e tyre të drejtësisë tranzicionale dhe të vendosin nevojat urgjente të viktimave dhe të shoqërisë në tërësi në qendër të gjitha vendimeve dhe veprimeve ligjore, politike dhe teknike në këto zona.

“Shumë viktima në Serbi dhe në një masë më të vogël, por ende të konsiderueshme në Kosovë, nuk morën kompensim adekuat, për shkak të mangësive në kornizat përkatëse ligjore që nuk njohin dhe nuk ofrojnë të drejta dhe përfitime të barabarta për të gjitha kategoritë e viktimave. Në Kosovë, stigmatizimi i viktimave të dhunës seksuale pengon dukshëm qasjen në të drejta dhe kompensim për këtë kategori viktimash dhe kërkon vëmendje urgjente”.

Në raportin e tij, Salvioli është i shqetësuar për përdorimin e vazhdueshëm të tregimeve etnocentrike, nacionaliste dhe ose të njëanshme ose jo të plota për konfliktin në politikë, media, kulturë dhe arsim në Serbi dhe Kosovë.

“Manipulimi i ngjarjeve të së kaluarës dhe ngritja shoqëruese e ndjenjave nacionaliste dhe etnike për arsye politike, edhe nëse duket se u ofron përfitim politik afatshkurtër mbështetësve dhe autorëve të saj, është jo vetëm i paligjshëm dhe në kundërshtim me standardet ndërkombëtare, por edhe dritëshkurtër, i pamatur dhe mbi të gjitha një akt papërgjegjshmërie ekstreme publike që mund të çojë në përsëritjen e dhunës nga e kaluara”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore