Lajme

OKB-ja kërkon që Danimarka ta anulojë Marrëveshjen me Kosovën për Burgjet: Mund të ketë shkelje të të drejtave të njeriut


Ilustrim

Komiteti i Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Torturë ka këshilluar Qeverinë e Danimarkës ta anulojë marrëveshjen me Qeverinë e Kosovës, gjegjësisht, Ministrinë e Drejtësisë, për transferimin e 300 kriminelëve nga Danimarka në Kosovë, në burgun e Komunës së Gjilanit, me arsyetimin se me këtë vendim po bëhen shkelje të mundshme të të drejtave të njeriut.

Raporti i publikuar nga Komiteti i OKB-së për Torturë, i përbërë nga 10 ekspertë të pavarur të cilët monitorojnë zbatimin e Konventës Kundër Torturës dhe Trajtimeve ose Ndëshkimeve të tjera Çnjerëzore ose Degraduese nga shtetet anëtare, sugjeron që shteti danez duhet të sigurojë që të gjitha garancitë themelore ligjore të garantohen, si në ligj ashtu edhe në praktikë, për të gjithë personat e ndaluar.

“Kjo përfshin të drejtën për një avokat, duke përfshirë aksesin në ndihmë juridike falas. Ai përfshin gjithashtu të drejtën për informacion të plotë për të drejtat e tyre, arsyen e arrestimit dhe çdo akuzë kundër tyre, në një gjuhë që ata kuptojnë dhe në një mënyrë të arritshme”.

Shqetësimi tjetër i këtij Komiteti i artikuluar në Raport është se me transferimin e burgosurve danez në Kosovë, të njëjtit mund të privohen nga aksesi në kujdesin shëndetësor dhe marrëdhëniet familjare.

Në raport, ndër të tjera, theksohet se ndonëse Qeveria e Danimarkës ka deklaruar se ambientet e burgut të marra nga Kosova me qira do t’i nënshtrohen ligjit danez, “ende ekziston rreziku i akteve të mundshme të torturës ose keqtrajtimit nga stafi i burgut”.

“Ka paqartësi se si do të hetohet dhuna e kësaj natyre dhe si do të monitorohet kjo. Komiteti shpreh gjithashtu shqetësimin për natyrën potencialisht diskriminuese të këtij regjimi, i cili dyshohet se pritet të diferencojë trajtimin e të burgosurve në bazë të kombësisë dhe situatës familjare”.

Kosova dhe Danimarka kishin nënshkruar letër-pëlqimin për dërgimin e 300 të burgosurve nga Danimarka në Kosovë në dhjetor të vitit 2021.

Ndërsa në prill të vitit 2022, dokumenti ishte shndërruar në Traktat.

Traktati, i cili ka një kohëzgjatje prej dhjetë vjetësh, parasheh që Danimarka të marrë në shfrytëzim qeli të vetme dhe të përbashkëta në burgun e Gjilanit, ndërsa Kosova, në këmbim, të përfitojë mbi 200 milionë euro.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore