Kosova

Odalloviç: Çështjen e targave të Serbisë duhet ta zgjidhë KFOR-i


Kryetari i Komisionit për Personat e Pagjetur në Qeverinë e Serbisë, Velljko Odalloviç

Kryetari i Komisionit për Personat e Pagjetur në Qeverinë e Serbisë, Velljko Odalloviç, në mëngjesin e së martës për Radio Televizionin Shtetëror të Serbisë ka deklaruar se problemin për reciprocitetin e targave që e aplikoi qeveria e Kosovës, duhet ta zgjidhë KFOR-i e jo t’i lejojë forcat speciale të policisë së Kosovës ta bëjnë atë.

“KFOR-i duhet ta zgjidh këtë çështje, e mos t’i lejojë forcat speciale të policisë së Kosovës të bëhen të egër dhe t’i lë ata të përfaqësojnë veten si e vetmja forcë sigurie. EULEX vetëm se po shkrihet, s’ka më asnjë funksion aty”, ka deklaruar ai.

Odalloviç konsideron se një veprim i tillë nga Shteti i Kosovës “nuk ka qenë provokuar” nga ana e Serbisë, dhe se një gjë e tillë do të mund të ishte zgjidhur “përmes një dialogu teknik siç ka qenë ajo e para 10 viteve”.

Odalloviç gjithashtu thotë se Kosova “po e etablon reciprocitetin” me Serbinë, pasi që edhe kjo e fundit nuk i ka njohur targat e Republikës së Kosovës (RKS),

“Nuk është më problem. Problemi qëndron te mënyra se si e kanë bërë, si një provokim me qindra oficerë policorë të cilët në kuptimin e ngushtë të fjalës e pushtuan veriun e Kosovën”, ka thënë ai.

Velljko Odalloviç ndër të tjera shtoi se Kosova është e interesuar që në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja në Bruksel të ndjek vetëm interesat e veta, e jo edhe ato të Serbisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore