Lajme

OBSH: Gjysmë milioni refugjatë ukrainas kanë nevojë për mbështetje të shëndetit mendor


Rreth gjysmë milioni refugjatë që kanë ikur nga lufta në Ukrainë në Poloni kërkojnë mbështetje për çrregullime të shëndetit mendor dhe 30 mijë vlerësohet të kenë probleme të rënda të shëndetit mendor. Kjo është bërë e ditur nga përfaqësuesja e Organizatës Botërore të Shëndetësisë në Poloni, Paloma Cuchi.

Sipas OBSH-së, përfundimi i saj bazohet në vlerësimet për kushtet e shëndetit mendor pas konflikteve të armatosura.

Përveç shqetësimit mendor dhe emocional, problemet kryesore me të cilat përballen refugjatët nga Ukraina në qendrat e pritjes përfshijnë ethe, diarre, hipotermi, infeksione të traktit të sipërm respirator dhe arrest kardiak.

Të martën, OBSH-ja raportoi se tani ka pasur 62 sulme të verifikuara në vendet e kujdesit shëndetësor në Ukrainë që nga fillimi i pushtimit rus në fund të shkurtit.

“Kjo është e papranueshme”, shkroi agjencia në median sociale Twitter të dielën. “Kujdesi shëndetësor duhet të mbrohet gjithmonë”.

Kujtojmë që kjo është dita e 27-të e luftimeve mes Rusisë dhe Ukrainës. Kjo e fundit ka bërë një rezistencë të lartë kundër trupave dhe bombardimeve ruse.

Sipas OKB-së, mbi 10 milionë njerëz janë larguar nga Ukraina dhe numri i ushtarëve rusë të vrarë nuk dihet ende – mendohet mbi 13 mijë.

Ndërsa nga shifrat vendase, rreth 2 mijë e 500 civilë mendohet se janë vrarë vetëm në Mariupol nga bombardimet ruse – mes tyre edhe fëmijë.

OKB-ja ka raportuar të paktën 816 njerëz të vrarë dhe 1 mijë e 333 të plagosur që nga fillimi i pushtimit rus në Ukrainë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore