Lajme

O’Brien: Vuçiç e di se përdorimi i forcës kundër Kosovës do të ishte i papranueshëm


James O'Brien

Ndihmëssekretari Amerikan i Shtetit për Evropë dhe Euroazi, James O’Brien, ka dekalruar se Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë duke i vëzhguar lëvizjet e ushtrisë serbe afër kufirit me Kosovën dhe se shteti që ai përfaqëson ia ka bërë të ditur presidentit serb Aleksandër Vuçiç, se përdorimi i forcës do të ishte i papranueshëm.

Këto komente, O’Brien i ka bërë në një bashkëbisedim me gazetarë, një ditë pasi që kryeministri Albin Kurti, publikoi pamje të ushtrisë serbe duke u trajnuar afër kufirit me Kosovën.

Top-diplomati amerikan ka theksuar se një lëvizje eventuale prej forcave të Serbisë do të konsiderohej nga shteti i tij si rrezikim i forcave të NATO-s “që janë në Kosovë për t’i mbrojtur shqiptarët dhe serbët”, derisa ka shtuar se Vuçiç ka thënë se nuk do të ketë përdorim të forcës.

“Sa i përket tensioneve, ne e dimë se e ardhmja për të dyja vendet është në Bashkimit Evropian dhe ekonominë globale. Ne po punojmë me dy qeveritë për të parë se kjo është e mundur. Vuçiç e di mirë se çfarëdo përdorim i forcës ndaj Kosovës do të ishte i papranueshëm pasi kjo i vë në rrezik ushtarët e NATO-s që janë atje për të mbrojtur popullatën serbe dhe shqiptare”, tha O’Brien.

Po ashtu, ai ka theksuar se Serbisë i është bërë e qartë se personat që morën pjesë në sulmin terrorist në Banjë të Zveçanit duhet të mbahen përgjegjës.

“Çështja kyçe këtu është se palët duhet t’i reduktojnë tensionet, edhe ato që ndërlidhen me ushtrimet e ushtrisë përreth kufirit. Duhet përgjegjësi për sulmin e 24 shtatorit dhe presim që kjo të ndodhë shpejtë. Qeveria serbe ka ndërmarrë disa hapa për këtë. Mirëpresim lëvizjen e trupave ushtarake prapa dhe bashkëpunim në hetim. Por këto nuk mjaftojnë”, ka deklaruar ai.

Ndryshe, kjo deklaratë e top-diplomatit amerikan vjen një ditë pasi që kryeministri Kurti publikoi pamje ku shiheshin njësi të specializuara të ushtrisë së Serbisë vetëm disa metra larg kufirit me Kosovën, në afërsi të fshatit Banjë të Zubin Potokut.

Lëvizje të ngjashme, njoftoi Kurti, janë regjistruar edhe në fshatin Oslare të Bujanofcit, po në afërsi të kufirit me Kosovën.

“Jemi të vetëdijshëm se Forcat e Armatosura të Serbisë janë duke realizuar stërvitjet e rregullta dhe ato janë duke i përdorur si pretekst për të shkaktuar provokime të qëllimshme në afërsi të kufirit me Kosovën”, shkroi Kurti në Facebook.

Ai potencoi se janë duke i vëzhguar me kujdes se a do të përpiqen të kalojnë kufirin, derisa këtë afrim të automjeteve ushtarake serbe e konsideroi si “jonormal”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore