Lajme

Nuk ulen pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve – Gjykata e Apelit refuzon ankesën e Qeverisë


Gjykata e Apelit

Gjykata e Apelit të Kosovës ka vërtetuar vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë –Departamenti për Çështje Administrative për pezullimin e vendimit të Qeverisë së Kosovës për uljen e pagave për gjyqtarë dhe prokurorë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Gjykata e Apelit, sipas vendimit, më 20 janar të këtij viti ka vendosur që ankesa e Qeverisë së Kosovës të refuzohet si e pabazuar.

“Refuzohet si e pa bazuar ankesa e të paditurës Qeveria e Republikës së Kosovës me seli në Prishtinë, ndërsa aktvendimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti për Çështje Administrative, i datës 02 shkurt 2022, vërtetohet”, thuhet në vendimin e Apelit.

Gjykata Themelore në Prishtinë, me 2 dhjetor 2022, kishte vendosur për pezullimin e vendimit të Qeverisë për uljen e pagave të gjyqtarëve dhe prokurorëve ndërsa ekzekutivi kishte dorëzuar ankesë për të kundërshtuar aktvendimin e kësaj gjykate.

Ndryshe, në vitin 2017, atëbotë kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, pati rritur pagat për shumë kategori dhe mes tyre për gjyqtarë dhe prokurorë, por përkundër se një gjë e tillë konsiderohej si joligjore dhe antikushtetuese, ky vendim asnjëherë nuk ishte shfuqizuar nga asnjë institucion tjetër, pavarësisht kërkesave të opozitës e shoqërisë civile në atë kohë.

Vendimi ishte prekur më pas në vitin 2020 nga pasardhësi i Haradinajt, Albin Kurti, por vetëm për zyrtarë qeveritarë, derisa pagat e punëtorëve të sistemit të drejtësisë mbetën, meqë edhe shkonte me premtimet e vetë Kurtit për paga të larta në këtë sektor.

Ulja e pagave të gjyqtarëve dhe prokurorëve: Anti-ligjore, anti-kushtetuese, anti-Komisionit të Venecias, anti…

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore