Lajme

Nuk miratohet Projektkodi Civil


Kuvendi i Kosovës

Deputetët e Kuvendit të Kosovës nuk ia anë dhënë dritën e gjelbër Projektkodit Civil, në seancën parlamentare të Kuvendit të Kosovës.

Në sallë ishin të pranishëm 77 deputetë ndërsa 16 prej tyre nuk participuan fare në votim.

Nga 61 deputetët të cilët morën pjesë në votim, vetëm 28 prej tyre kanë votuar pro ndërsa kundër 29.

E në anën tjetër katër deputet kanë abstenuar.

Arsyeja e kundërshtimit të Projektkodit të ri Civil edhe nga deputetët e shumicë ishte një nga nenet, i cili hapë rrugën për ligjin që lejon martesat e gjinisë së njëjtë.

Ndryshe Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në foltoren e Kuvendit, duke e arsyetuar Kodin Civil, ka kërkuar nga ligjvënësit që të votojnë atë.

Sipas Kurtit, në kodin civil është rregulluar pjesa statusore e personave fizik, dhe se si risi është ndalimi i martesave të hershme.

“Janë rregulluar punët juridike kontratat, testamentet. Te familja, këtu duhet të theksojmë dy çështje të rëndësishme, është pasuria e përbashkët është caktuar të jetë e barabartë. Këtu risi është edhe ndalimi i martesave të hershme. Është një pikë e rëndësishme gjithashtu që është diskutuar e keqkuptuar që ka të bëjë me regjistrimin e bashkësive civile të personave me gjini të njëjtë. Në fund të fundit të drejtat e njeriut janë të drejtat e të gjithë njerëzve”, ka thënë ai.

Sipas tij, me këtë kod është paraparë mundësia që personat të të njëjtës gjini të regjistrohen si bashkësi civile dhe se kodi nuk e ka rregulluar martesën mes tyre.

“Ajo do të rregullohet me një ligj të veçantë. Kodi nuk është i mjaftueshëm kjo është në pajtim edhe me kushtetutën. Kodi nuk rregullon martesat. Martesa dallon nga Bashkësia civile sepse kjo mundëson vetëm bashkëjetesën dhe jo format tjera”, ka thënë ai.

Projektkodi Civil është kundërshtuar nga një pjesë e madhe e deputetëve, për shkak të nenit i cili mendohet se çon drejt martesave të së njëjtës gjini.

Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, i kërkoi sqarime dhe konkretizime, rreth projektligjit, e cila sipas tij, nuk sqaron shumë gjëra.

Edhe Driton Selmanaj, kritikoi Kurtin nga i cili kërkoi shpjegim më të hollësishme.

“Kushtetuta e garanton një gjë të tillë, është e afirmuar aty, nuk ka nevojë për riafirmim, por për konkretizim”, tha Selmanaj.

“A kanë të drejtë të adoptojnë, a kanë të drejtë për alimentacion të fëmijëve, a kanë të drejtë në trashëgimi, krejt këto janë çështje që duhet shtjelluar tani”.

“A sa për afirmacion, nuk kemi pas nevojë, sepse kemi afirmacion. Afirmacioni është në aktin më të lartë [juridik] të këtij vendi”.

“Dhe, unë po e shoh që nga mungesa u guximit për ta trajtuar thelbësisht këto çështje, po thoni hajt ta përsërisim edhe njëherë afirmacionin”, tha Selmanaj.

Në anën tjetër Shefi i Grupit Parlamentar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri ka thënë se në formën se si ky Kod Civil është paraqitur në Kuvend, nuk e ka mbështetjen e tyre.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore