Lajme

Nuk kalon projektligji për Trust-in, Vetëvendosje voton kundër


Kuvendi i Kosovës.

Votimi për projektligjin për plotësim-ndryshimin e fondit pensional që do të hapte rrugën për tërheqjen e deri në 30% të Trust-it të inicuar nga Partia Demokratike e Kosovës dhe e mbështetur nga opozita në përgjithësi, nuk kaloi.

Nga 102 deputetë të Kuvendit të Kosovës të pranishëm në sallë, 44 nga opozita votuan për, 57 të pozitës kundër, dhe një abstenim nga deputeti Fatmir Humolli.

Për të kaluar projektligji ka qenë e nevojshme të votohet nga gjysma e deputetëve të pranishëm, gjë që u mbivendos nga deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, të cilët i thanë jo nismës.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në seancë tha se nuk ka shans të kalojë ky projektligj, dhe se po synohet rrënimi i fondit pensional nga opozita.

Ministri i financave, Hekuran Murati, iu drejtua opozitës me një fjali sugjeruese “kap dilni në zgjedhje me projektligjin për Trust-in”.

Në anën tjetër, shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, bëri thirrje të votohet në lexim të parë, në mënyrë që aspektet përmbajtësore të projektligjit të diskutohen në lexim të dytë.

Nismëtari i këtij projektligji. Deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu, u shpreh i bindur se edhe po qe se projektligji nuk kalon, ajo do të vijë në formën e një peticioni qytetar. “E çfarë do të bëni atëherë”, pyeti deputeti.

Seanca u përcoll me një seri polemikash mes qeverisë dhe deputetëve opozitarë rreth projektligjit në fjalë, përçka ata u shprehën të bindur se nuk do ta lejojnë ta kalojnë atë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore