Lajme

“Nuk do të ndalemi deri sa të arrijmë objektivin, vaksinimin e 60 për qind të popullsisë”


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti gjatë konferencës së përbashkët me Komisionerin për Zgjerim të Bashkimit Evropian, Oliver Varhelyi, në sallën "1 Tetori", në Prishtinë

“Nuk do të ndalemi deri sa të arrijmë objektivin tonë për vaksinimin e 60 për qind të popullsisë”, ka thënë Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në një konferencë të përbashkët me Komisionerin për Zgjerim të Bashkimit Evropian, Oliver Varhelyi.

Sipas Kurtit, synimi i kësaj qeverie është që t’i vaksinojë grupet e rrezikuara para stinës së verës dhe të vijojë me pjesën tjetër në përputhje me planin shtetëror të vaksinimit kundër COVID-19.

“Qeveria po punon pa u ndalur për të rritur furnizimin me vaksina dhe jemi në rrugë të drejtë për të përmbushur këtë qëllim. Jemi të bindur se në bashkëpunim me shtetet e tjera anëtare të BE-së do të mund  të vazhdojmë të përfitojmë nga ky mekanizëm i pakos ndihmëse përmes marrëveshjes së mëtejme”, është shprehur Kurti.

Sipas tij, sasia e parë e vaksinave Pfizer e dërguar nga Bashkimi Evropian përveç se është shpresë dhënëse “na bënë mirënjohjes ndaj shfaqjes së përkrahjes së BE-së në përpjekjet tona për një mjedis sa më të sigurt jo vetëm për qytetarët tonë por edhe për të mirëpritur qytetarët e BE-së”.

“Vetëm duke qenë së bashku mund ta fitojmë luftën kundërCOVID-19 dhe ky është mësimi nga pandemia dhe mënyra jonë në gjithë këtë fushatë”, përfundoi Kurti.

Nga ana tjetër, komisionieri Varhelyi, ka thënë se ndihma e BE-së me vaksina për Kosovën është kontributi më i rëndësishëm pasi që pandemia do të përfundojë vetëm pasi që të vaksinohen të gjithë.

“Kjo është vetëm dërgesa e parë dhe ne do të vazhdojmë në bashkëpunim me kryeministrin që të marrim më shumë vaksina në mënyrë që të gjithë të vaksinohen”, është shprehur Varhelyi.

Ai tutje ka thënë se nga donacionet e BE-së, Kosova do të përfitojë rreth 100 mijë vaksina nga kompania Pfizer/Biontech.

“Ishte një detyrë e rëndë për t’i siguruar vaksinat por ja ku janë. Jemi duke sjellë rreth 600 mijë vaksina për Ballkanin Perëndimor, ku Kosova do të pranojë afër 100 mijë vaksina nga Pfizer/Biontech”, shtoi Varhelyi.

Komisioneri i BE-së po ashtu, ka theksuar se kanë qëndruar afër Kosovës gjatë gjithë pandemisë.

“Kemi filluar që në mars të vitit të kaluar duke ofruar pajisje mjekësore, dhe për të shpëtuar ekonominë. Kemi ofruar ndihmë financiare që të luftoni pandeminë dhe tani kemi filluar me vaksina. Jam i lumtur që sot shoh të gjithë këta persona duke u vaksinuar. Kjo tregon që ne kujdesimi për Ballkanin Perëndimor dhe për Kosovën”, u shpreh Varhelyi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore