Lajme

Norvegji: Lideri i ekstremit të majtë dorëhiqet pasi vodhi syze dielli


Udhëheqësi i ekstremit të majtë norvegjez dhe deputeti Bjørnar Moxnes dha dorëheqjen si lider i partisë së tij të hënën e 24 korrikut.

Kjo, pasi u kap duke vjedhur një palë syze dielli nga një dyqan në aeroportin e Oslo-s.

Lajmi u bë i ditur nga agjencia franceze “AFP”.

“Bëra një gabim të madh dhe e përkeqësova më mënyrën se si e trajtova më pas”, shkroi Bjørnar Moxnes në faqen e tij në Facebook. “Më vjen shumë keq për këtë dhe dua t’iu kërkoj falje”.

Më 30 qershor, Bjørnar Moxnes tha se u gjobit me 3 mijë korona (250 euro) për vjedhjen e syzeve të diellit Hugo Boss, me vlerë 1 mijë e 199 korona (rreth 100 euro), në një dyqan pa taksa në aeroportin e Oslo-s dy javë më parë.

Politikani 41-vjeçar kishte fajësuar hutimin e tij në atë rast, por kishte ndryshuar disa herë versionin e tij për zbulimet rreth këtij episodi të kapur nga kamerat CCTV, të cilat duket se hedhin poshtë hipotezën e një mospërfilljeje.

Aktualisht në pushim mjekësor, Bjørnar Moxnes po heq dorë nga posti i tij në krye të partisë opozitare Rødt të cilën e drejtoi për 11 vjet dhe të cilën ai e ndihmoi të zhvillohej deri në fitimin e shtatë vendeve në Parlament në zgjedhjet legjislative të vitit 2021.

Sipas rregullave në fuqi në Norvegji, është e pamundur të dorëhiqesh nga funksionet zgjedhore, si ato të deputetit, gjatë mandatit.

Deri atëherë numri dy i partisë, Marie Sneve Martinussen, 37 vjeçe, merr përkohësisht frenat e formacionit politik.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore