Shqipëria

Noka: Selia është kthyer në ‘Alcatraz’, pengu i Ramës mund të rrijë i vetëburgosur


“Një grup deputetësh, anëtarë të Grupit Parlamentar të PD erdhëm sot në selinë, në shtëpinë tonë për të zhvilluar një takim, mbledhje lidhur me agjendën që do të ketë PD për vitin 2022, por PD është kthyer në Alcatraz”.

Kështu është shprehur deputeti i PD-së, njëkohësisht dhe anëtar i Komisionit të ashtuquajtur i Rithemelimit, në Partinë Demokratike, Flamur Noka, të mërkurën e 5 janarit, dita kur ish-kryeministri Sali Berisha i ka dhënë ultimatumin kryetarit Lulzim Basha për lirimin e zyrave.

“Ajo që konstatoj me dhimbje është se shtëpia e lirisë sot duhet të ishte një ambient festiv, ku të mblidheshin gjithë demokratët, por për fat të keq, Edi Rama e ka kthyer pengun e tij, një “Alcatraz të kohëve moderne” (Alcatraz është i njohur si burgu më kërcënues në botë)”.

“Pengu i Edi Ramës mund të rrijë i burgosur”, theksoi Noka, referuar Bashës, por “Rama nuk mund të burgosë kurrë shpirtin e lirë të demokratëve”.

Ai theksoi se më 8 janar demokratët do ta kthejnë nga “Alcatraz” – në shtëpi lirie. Kjo është data e caktuar nga Sali Berisha, për mbajtjen e protestës para selisë blu.

“Lër karrigen, ose anëtarësia do të bëhet përmbaruese e vendimeve të Kuvendit të 11 dhjetorit për shkarkimin e Bashës”, ka thënë ish-kryetari.

Më herët, deputeti Noka ka provuar të hyjë në seli, por të tria dyert kanë rezultuar të mbyllura.

Sipas informacioneve nga selia blu, thuhet se janë të mbyllura për shkak të punimeve që po kryhen aty.

Ultimatumi i 5 janarit

Ultimatumi përpara mbylljes së vitit, ishte i qartë.

“Më 5 janar, Basha duhet të ketë lënë zyrën, ose anëtarësia e PD-së, do të kthehet në përmbaruese të vendimeve të Kuvendit të 11 dhjetorit”.

Me kaq, Komisioni i Rithemelimit i formuar nga Berisha, bëri paralajmërimin ndaj Bashës.

Vetë Basha, sapo mori vesh “kërcënimin” ndaj tij, doli në një konferencë për shtyp mbi çështjen.

Në një qasje shumë të qetë të tijën ndaj Berishës, Basha u artikulua qartësisht: Asgjë nuk ndodh më 5 janar.

Logo e re- vulë e re 

Më 15 dhjetor, kryetari i Komisionit të ashtuquajtur të Rithemelimit në PD, Belind Këlliçi, i “zhbëri” vendimet e Lulzim Bashës, duke argumentuar se Kuvendi i 11 dhjetorit – i njohur si Kuvendi i Berishës – nëpërmjet një rifreskimit të logos dhe vulës së demokratëve, ka bërë të mundur zhvlerësimin e vendimeve të Bashës.

As një muaj më vonë, Basha bëri një lëvizje në seli. Ai vendosi në dyer e xhama, logon historike të Partisë Demokratike.

E, në fakt ky vendim, erdhi në ditën e tretë të vitit të ri dhe vetëm dy ditë përpara ultimatumit që Berisha i ka vendosur kryedemokratit.

Nga ana tjetër, një prej mbështetëseve të Berishës, Evi Kokalari, ka pretenduar se ndryshimi i pamjes së selisë i bërë nga Basha, është realisht një “blindim me ushtarë të armatosur brenda godinës”.

“Dy konkluzione mund të nxjerrim me këto veprime. Lulit i ka hipur frika në palcë nga protesta paqësore e 8 Janarit. Luli po tregon karakterin e tij diktatorial ku i ka thënë vetes do ta mbaj selinë peng me dhunë”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore