Lajme

“Njohja e pasaportave nga Spanja mund të përdoret si model për pranimin e Kosovës në PfP të NATO-s”


Politologu nga Bosnja dhe Hercegovina, Jasmin Mujanoviç, thotë se njohja e pasaportave të Kosovës nga Spanja ka bërë që të rritet optimizmi për anëtarësimin e vendit në NATO, gjegjësisht Partneritetin për Paqe (PfP).

“Një nga implikimet kryesore të vendimit të Spanjës për të lejuar mbajtësit e pasaportave të Kosovës të hyjnë në vendin e tyre është se ky model mund të përdoret gjithashtu për të hapur rrugën për pranimin e Kosovës në PfP të NATO-s”, ka shkruar ai në platformën X.

Ndërsa kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka mirëpritur vendimin e Spanjës që t’i njohë pasaportat e Kosovës, kjo pas liberalizimit të vizave, duke iu mundësuar kështu qytetarëve të Kosovës lirinë e lëvizjes pa viza edhe në Spanjë – shtet që s’e njeh pavarësinë e Kosovës.

Përmes një postimi në llogarinë e tij në platformën sociale Instagram, Kurti ka thënë se viti 2024 është vit i fuqizimit të pasaportës së Kosovës.

“Asaj sa vjen e po i shtohet vlera, e shtetit tonë dinjiteti. Nga janari, Spanja u është bashkuar shteteve të Bashkimit Evropian që e njohin pasaportën e Kosovës. Gëzuar!”, ka shkruar kreu i ekzekutivit të shtunën.

Nga 1 janari i 2024-ës, qytetarët e Kosovës do të mund të udhëtojnë pa viza në 27 shtete të zonës Schengen.

Liberalizimi i vizave u mundëson qytetarëve të Kosovës, që kanë pasaporta biometrike, të qëndrojnë deri në 90 ditë brenda gjashtë muajsh në cilindo nga 27 shtetet anëtare të zonës Schengen.

Udhëtimet pa viza shërbejnë për vizita turistike, çështje familjare ose të ngjashme. Megjithatë, liberalizimi i vizave nuk nënkupton leje pune apo përfitime të tjera.

Kosova ishte vendi i fundit i Ballkanit Perëndimor, qytetarët e të cilit deri më tani nuk mund të lëviznin lirshëm në zonën Schengen.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore