Kosova

Ambicia e Spanjës për njohjen e Palestinës – një hap kontradiktor që do ta dobësojë pozicionin spanjoll kundër Kosovës


Pedro Sanchez

Kryeministri i Spanjës, Pedro Sánchez – një nga kritikët më të zëshëm të ofensivës së Izraelit në Gaza – paralajmëroi javën e kaluar se do të lëvizë drejt njohjes së shtetësisë palestineze para korrikut, por qëndrimi i eksekutivit spanjoll rreth Palestinës pritet të dobësojë argumentin tradicional refuzues të politikës së jashtme të Spanjës rreth pavarësisë së Kosovës.

Alejandro Esteso Perez, njohës i zhvillimeve politike dhe marrëdhënieve ndërkombëtare, në një përgjigje për Albanian Post të mërkurën, konsideron se ambicia proaktive e qeverisë spanjolle për të njohur Palestinën bjen ndesh me qëndrimin e ashpër të Spanjës ndaj Kosovës, duke qenë se Spanja vazhdon të jetë e mbyllur gati hermetikisht për çfarëdo bashkëpunimi.

“Ambicia proaktive e Spanjës për të njohur Palestinën bjen ndesh me refuzimin e pavarësisë së Kosovës dhe deri në një pikë mund të dobësojë argumentin e Madridit. Megjithatë, një shtet sovran mund të vendosë vetë se cilin vend të njohë – dhe nuk detyrohet të njohë një vend tjetër. Por, debati rreth Palestinës e bën më të lehtë shqyrtimin potencial të rastit të Kosovës”.

E politologu dhe studiuesi spanjoll, Guillem Purlas, në një artikull të fundit të publikuar në gazetën spanjolle “El Independiente” mbi paralajamërimin e Spanjës për njohjen e shtetit të Palestinës, vlerëson se nëse Spanja avancon drejt njohjes së shtetit të Palestinës, duhet të avancojë edhe drejt njohjes së Kosovës – nuk ekziston asnjë logjikë tjetër pas pozicionit spanjoll.

“Për më tepër, ekziston një kontradiktë e rëndësishme në pozicionin spanjoll, ashtu sikurse në pozicionin e Greqisë, Rumanisë dhe Sllovakisë. Gjithashtu, fakti që Spanja avokon që Palestina të anëtarësohet në Organizatën e Kombeve të Bashkuara (OKB) si shtet i pavarur dhe sovran, thellon edhe më shumë kontradiktën rreth mosnjohjes së Kosovës”, nënvizon Purlas.

Pozicioni i Spanjës rreth Palestinës vjen pas numrit të lartë të viktimave civile në Gaza, megjithëse Madridi vlerëson se njohja zyrtare duhet të ndodhë vetëm nëse ekziston një harmoni e plotë në mesin e 27 shteteve anëtare të Bashkimit Evropian (BE). Por një krizë e ngjashme humanitare karakterizoi edhe Kosovën në fund të viteve ’99, argumenton Purlas.

Ai kujton se në kulmin e krizës sociale dhe politike në Kosovë, një qeveri socialiste vendosi që t’i tërheqë forcat spanjolle në vitin 2009 sepse refuzoi t’i ketë trupat në Kosovë pas shpalljes së pavarësisë në vitin 2008 – rreth 600 ushtarë spanjollë ishin pjesë e shërbimit të misionit paqeruajtës të NATO-s në vend në kohën kur Spanja vendosi për tërheqjen e personelit.

“Situata në Palestinë është e rëndë, por kjo vetëm sa thelloi problemet ekzistuese humanitare dhe politike. Por e rëndësishme ishte edhe kriza sociale dhe politike në Kosovë dhe atje Spanja mori pjesë në KFOR deri në vitin 2009, kur u tërhoq në mënyrë të çuditshme, duke mos u pajtuar me pjesën tjetër të forcave aleate të NATO-s mbi tërheqjen e trupave”, kujton ai.

Perez konsideron se Spanja mund të përdorë përkushtimin e vazhdueshëm ndaj Palestinës për të përshtatur pozicionin ndaj Kosovës, duke qenë se populli spanjoll përgjatë historisë ka mbështetur parimin e vetëvendosjes së popujve, por kjo nuk nënkupton që Kosova të medoemos shfrytëzojë realitetet e reja gjeopolitike në botë për të marrë njohjen nga Spanja.

“Nëse Kosova duhet të shfrytëzojë situatën gjeopolitike në mënyrë që të marrë njohjen e Spanjës, kjo ndoshta do të nënkuptonte se Kosova do të kishte nevojë të kërcënohej ose të sulmohej direkt – diçka që askush nuk duhet ta shpresojë”, nënvizon ndër të tjera Perez, i cili shton se Spanja aktualisht është duke i rrezikuar edhe marrëdhëniet diplomatike me Izraelin.

Spanja nuk e njeh pavarësinë dhe sovranitetin e Kosovës për shkak të lëvizjeve secesioniste brenda territorit të vet. Logjika është shumë e thjeshtë – nëse Madridi pranon se Prishtina ka të drejtën e pavarësisë kombëtare, atëherë standardi i njejtë duhet të aplikohet edhe në rastin e Katalonjës dhe Baskisë – rajone që prej kohësh synojnë shkëputjen nga Spanja.

Megjithatë, në artikullin e Purlas jepen disa shembuj konkretë që rrëzojnë qëndrimin e ashpër të Spanjës që bazohet kryesisht në frikën e një “efekti domino” që mund ta shkaktojë njohja e pavarësisë së Kosovës. Ai përmend disa shtete evropiane që përkundër lëvizjeve secesioniste brenda territorit të tyre – megjithatë – njohin pavarësinë dhe sovranitetin e Kosovës.

“Disa mund të mendojnë se kjo është për shkak të situatës së Spanjës rreth secesionizmit bask dhe katalanas, por Franca e njeh Kosovën duke pasur Korsikën; Italia përballet gjithashtu me secesionizmin e Tirolit të Jugut, madje edhe Turqia e njohu Kosovën duke pasur secesionizmin kurd, ndërsa Mbretëria e Bashkuar duke pasur secesionizmin skocez”.

E pavarësisht këtyre modeleve në territorin evropian, shteti spanjoll vazhdimisht etiketon hapin unilateral të Kosovës si shkelje të së drejtës ndërkombëtare, ndonëse perëndimi kolektiv përsërit se njohja e Kosovës përbën një rast sui generis lidhur me normën e tërësisë territoriale dhe nuk mund të shihet si një precedent për ndonjë situatë tjetër në botën e sotme.

Ndryshe, shanset që Spanja të lëvizë drejt njohjes së Kosovës vlerësohen të ulëta aktualisht, veçanërisht duke pasur parasysh narrativën historike për refuzimin e shkeljeve të së drejtës ndërkombëtare dhe duke marrë parasysh argumentin e përsëritur se një marrëveshje ligjërisht e detyrueshme ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duhet të jetë përpara çdo hapi drejt njohjes.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore