Lajme

Njerëzit mund të përjetojnë simptoma “afatgjata” të ftohjes pas infeksioneve të frymëmarrjes


Shkencëtarët kanë gjetur prova që njerëzit mund të përjetojnë “ftohje të gjata”, infeksione akute të frymëmarrjes me simptoma afatgjata.

Disa nga simptomat më të zakonshme përfshijnë kollën, dhimbje stomaku dhe diarre më shumë se katër javë pas infeksionit fillestar.

Dhe ashpërsia e një sëmundjeje duket të jetë një shtytës kryesor i rrezikut të simptomave afatgjata.

Gjetjet sugjerojnë se mund të ketë ndikime afatgjata shëndetësore pas infeksioneve akute të frymëmarrjes jo-COVID, si ftohja, gripi ose pneumonia, të cilat nuk njihen.

Megjithatë, studiuesit nuk kanë ende prova që sugjerojnë se simptomat kanë të njëjtën ashpërsi ose kohëzgjatje si COVID-i.

Adrian Martineau, profesor klinik i infeksionit të frymëmarrjes dhe imunitetit në QMUL, ka thënë se “gjetjet mund të vijnë nga përvoja e njerëzve që kanë luftuar me simptoma të zgjatura pasi kanë pasur një infeksion të frymëmarrjes, pavarësisht testimit negativ për COVID-19”.

“Kërkimet e vazhdueshme mbi efektet afatgjata të COVID-19 dhe infeksioneve të tjera akute të frymëmarrjes janë të rëndësishme sepse mund të na ndihmojnë të kuptojmë se pse disa njerëz përjetojnë simptoma më të zgjatura se të tjerët. Në fund të fundit, kjo mund të na ndihmojë të identifikojmë formën më të përshtatshme të trajtimit dhe kujdesit për njerëzit e prekur”, ka shtuar ai.

Studiuesit zbuluan se njerëzit përjetojnë simptoma afatgjata pas infeksioneve të frymëmarrjes që rezultojnë negative për COVID-19.

Gjetjet e tyre sugjerojnë se disa – edhe pse jo të gjithë – mund të vuajnë efekte afatgjata nga ftohja, gripi ose pneumonia.

Ekspertët shikuan të dhënat nga 10 mijë e 203 njerëz që merrnin pjesë në studimin e Covidence UK për coronavirus-in në popullatë.

Në momentin e kësaj analize, 1 mijë e 343 kishin pësuar një infeksion COVID dhe 472 kishin pasur një infeksion respirator që rezultoi negativ për COVID-in.

Rezultatet treguan se 22 për qind e njerëzve me COVID vuanin simptoma të zgjatura pas infeksionit, ashtu si 22 për qind e atyre që kishin një infeksion që nuk ishte COVID.

Kishte një “rrezik të ngjashëm të simptomave të zgjatura” pavarësisht nëse ishte shkaktuar nga infeksioni COVID apo jo.

Martineau ka thënë se njerëzit me COVID në studim kishin më shumë gjasa të vuanin nga problemet e shijes dhe nuhatjes dhe marramendje.

Gjithashtu pësuan rrahje zemre, djersitje dhe rënie të flokëve.

Ata në grupin jo-COVID kishin më shumë gjasa të kishin një kollë ose një zë të ngjirur sesa njerëzit me COVID. Të dy grupet pësuan lodhje.

Sa më serioze të jetë një sëmundje, aq më e madhe është mundësia për të patur simptoma afatgjata, zbuloi studimi.

Megjithatë, studiuesit thanë se nevojiteshin më shumë kërkime për të kuptuar pse disa njerëz vuajnë, ndërsa të tjerët jo.

Marrë nga “The Guardian”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore