Lajme

Një ushtar amerikan dënohet me gati katër vite burg në Rusi


Një gjykatë ruse ka dënuar një ushtar amerikan me tre vjet e nëntë muaj burgim me akuzën e vjedhjes dhe kërcënimit për vrasje ndaj të dashurës së tij.

Kështu kanë njoftuar agjencitë shtetërore të lajmeve.

Sgt Gordon Black u dënua nga një gjykatë në Vladivostok në lindjen e largët të Rusisë dhe do të vuajë kohën e tij të izolimit në një koloni penale.

Sgt Black, i cili u arrestua në maj, ishte deklaruar i pafajshëm për akuzat për kërcënimin me vrasje, por pranoi se ishte “pjesërisht” fajtor për vjedhjen e 10 mijë rublave prej saj.

Ai pritet të apelojë vendimin, kanë thënë agjencitë shtetërore të lajmeve.

Prokurorët kishin kërkuar që ai të dënohej me katër vjet e tetë muaj, ndërsa mbrojtja e tij kërkoi që ai të shpallej i pafajshëm.

Zyrtarët amerikanë kanë thënë se Sgt Black, 34 vjeç, u takua me të dashurën e tij në Korenë e Jugut.

Ai u regjistrua si këmbësor në vitin 2008 dhe u dislokua në Irak në vitin 2009 dhe në Afganistan në vitin 2013. Së fundmi ai u caktua në Ushtrinë e Tetë, Forcat Amerikane të Koresë në Kampin Humphreys.

Ushtria amerikane ka bërë me dije sakaq se Sgt Black nuk kërkoi leje zyrtare dhe Departamenti i Mbrojtjes nuk e autorizoi udhëtimin e tij në Rusi ose Kinë, ku ai kishte udhëtuar fillimisht gjatë kthimit nga Koreja e Jugut.

Nuk ka asnjë provë se ai synonte të qëndronte në Rusi.

Ndërkohë Rusia po mban pas hekurave amerikanë të tjerë.

Gazetari i Wall Street Journal, Evan Gershkovich është në burg që nga marsi i vitit 2023, ndërsa ish-marinsi amerikan Paul Whelan u dënua me 16 vjet burg në vitin 2020.

Të dy burrat kanë thënë se janë të pafajshëm dhe qeveria amerikane ka deklaruar se akuzat kundër tyre janë të pabaza.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore