Lajme

Një stuhi përfshin Ballkanin duke lënë të paktën pesë të vdekur


Tre persona humbën jetën dhe disa të tjerë u plagosën në stuhinë që goditi Zagrebin dhe pjesë të tjera të Kroacisë pasdite, njoftoi Mbrojtja Civile Kroate.

Dy burra vdiqën kur një pemë ra mbi ta, tha Ljupka Hitrova nga Instituti mësimor për mjekësi urgjente të qytetit të Zagrebit.

Një shofer 40-vjeçar humbi jetën në komunën e Cernikut në qarkun Brod-Posavina për shkak të rënies së një peme mbi automjet.

Për shkak të stuhisë, shërbimet e urgjencës kanë marrë mbi 700 thirrje, duke përfshirë disa raportime për të lënduar.

Një viktimë e stuhisë në Slloveni

Një person ka humbur jetën në Bled pas rënies së një peme të rrëzuar nga një stuhi e fortë, njoftoi policia e Kranjës më 19 korrik.

Dy persona kanë mbetur të plagosur nga rrufeja.

Fatkeqësitë e motit që prekën Slloveninë shkaktuan dëme të mëdha materiale në të gjithë vendin, njoftoi agjencia STA.

Në Bosnjë dhe Hercegovinë, një person ka vdekur, aeroporti në Banja Luka është mbyllur

Në stuhinë që përfshiu Brçkon, në veri të Bosnjë-Hercegovinës, një grua vdiq dhe më shumë se 20 persona kërkuan ndihmë mjekësore, tha për agjencinë e lajmeve SRNA, zëdhënësi i Institucionit Shëndetësor Publik, Sead Shadiq.

Shërbimi i Urgjencës ka pasur disa ndërhyrje për shkak të dëmtimeve të lehta të shkaktuara nga rënia apo goditja nga një send i mprehtë.

Shtohet se era në Brçko ka shkulur pemë, ka thyer degë, ka dëmtuar disa vetura dhe se kanë ndodhur dy zjarre.

Në zonën e Samaçit, në veri të Bosnjës dhe Hercegovinës, Shtabi i Situatave Emergjente shpalli gjendjen e fatkeqësisë natyrore në këtë komunë pasi era e furtunës shkaktoi dëme të mëdha materiale në objekte private, afariste dhe banesore, raporton Radiotelevizioni i Republika Srpska.

Në të njëjtën kohë, aeroporti në Banja Luka është mbyllur për qarkullim, pasi pasdite stuhia ka dëmtuar çatinë e ndërtesës së portit të Aerodromit Republika Srpska.

Gjatë stuhisë në Doboj, shiu ka përmbytur rrugët.

Në Serbi dy persona kanë mbetur të plagosur

Dy persona janë lënduar në një stuhi në Novi Sad, njofton Radio-Televizioni i Serbisë.

Vajza 12-vjeçare, mbi të cilën ka rënë një pemë, është transportuar në Spitalin e Fëmijëve, ajo është e vetëdijshme dhe në gjendje të qëndrueshme, tha për RTS Zoran Krulj, zëdhënës i Emergjencës në Novi Sad.

Era ka rrëzuar nga skuteri një 74-vjeçar, i cili është transportuar në Qendrën Emergjente në gjendje të vetëdijshme.

Stuhia rrëzoi disa pemë dhe tabela trafiku në Beograd.

Anëtarët e Departamentit për Situata Emergjente kanë evakuuar 15 persona nga stuhia që goditi Serbinë në mbrëmje, njofton Radio-Televizioni i Serbisë.

Sektori për situata emergjente ka ndërhyrë më së shumti në disa vende në provincën e Vojvodinës në veri të vendit, ku janë evakuuar 12 persona.

Një stuhi e fortë e ndjekur nga shiu dhe rrufetë preu pemë, prishi linjat elektrike dhe dëmtoi disa makina në Kragujevc dhe zonën përreth.

Komunikacioni në autostradën Kragujevc-Kraljevë është ndërprerë për shkak të një numri të madh të pemëve të rëna.

Në disa hekurudha në Serbi ka pasur problem në furnizimin e rrjetit kontaktues mbi shina me rrymë dhe pemët kanë rënë në shina, gjë që ka shkaktuar vështirësi në funksionimin e komunikacionit hekurudhor në disa pjesë, njofton Infrastruktura e Hekurudhave të Serbisë.

Qeveria provinciale e Vojvodinës ka caktuar një seancë urgjente për 20 korrik, ku do të përfshihen anëtarë të Shtabit të Situatave Emergjente.

Marrë dhe përshtatur nga Radio Evropa e Lirë për Albanian Post

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore