Kosova

Një serb e quan “kryetar të rrejshëm”, Zeqiri: “Çetnikët s’po më harrojnë”


Izmir Zeqiri

Kryetari i Zubin-Potokut, Izmir Zeqiri, nëpërmjet një postimi në llogarinë e tij në “Facebook”, ka njoftuar se në adresën e tij personale i ka ardhur një mesazh ofendues në gjuhën serbe, ndërsa në formë të kundërpërgjigjes ka shkruar se “çetnikët s’po më harrojnë”.

“Mirëdita zotëri kryetar i rrejshëm, deri kur do të luani këtë çmenduri me 2 për qind të votave”, thuhet në mesazhin e publikuar nga kryetari Zeqiri, ndërsa në mënyrë ironike ka shkruar “më përshëndesin nganjëherë me kësi lloj mesazhi”.

Serbët lokalë janë duke protestuar pothuajse çdo ditë që prej 29 majit në këto komuna të banuara me shumicë serbe – Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok – për të kundërshtuar kryetarët e rinj shqiptarë dhe praninë e Policisë së Kosovës atje.

E qetësimi i situatës në pjesën veriore të Kosovës, mbajtja e zgjedhjeve të reja lokale atje dhe kthimi në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi janë tri kërkesat e përbashkëta të bashkësisë së organizuar ndërkombëtare për de-përshkallëzimin e gjendjes në terren.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore