Lajme

Një rast me Omicron, Pekini mbyll punonjësit brenda godinës


Një rast i vetëm i detektuar me variantin e ri të COVID-19, Omicron, ka mjaftuar që autoritetet në Pekin të mbyllin tërësisht një godinë biznesi me punonjësit të mbetur brenda e të karantinuar.

Pako ushqimore dhe krevate të improvizuar janë dërguar menjëherë në mjediset e godinës për t’i ardhur në ndihmë punonjësve, por asnjë prej tyre nuk do të lëvizë nga aty pa plotësuar kohën e nevojshme të karantinës.

Frika se varianti Omicron mund të përhapet me fillimin e Lojërave Olimpike Dimërore në Kinë, është e madhe. Ndaj, autoritetet po marrin çdo masë të mundshme parandaluese.

Ka disa javë që Pekini gjendet në alarm me variantit Omicron. Një vatër e virusit u shfaq në Tianjin, një port, i cili gjendet vetëm 30 minuta larg autostradës kryesore drejt kryeqytetit. Ndërsa, raste, ishin shpërndarë edhe në dy qytete të tjera, në distancë qindra kilometrash.

E infektuar me Omicron në Pekin ishte një grua. Ajo nuk kishte pasur asnjë kontakt me raste të mëparshme të variantit dhe nuk kishte lëvizur nga kryeqyteti në dy javët e fundit.

Ndaj, dyshimet e ekspertëve janë se Omicron po qarkullon në Pekin në disa zona të qytetit.

Ky rast, vjen në një pikë tepër të papërshtatshme me Lojërat Olimpike nëpër këmbë. Duke marrë parasysh se disa prej vendeve nga vijnë atletët, janë edhe vatra të rrezikshme të virusit, situata mund të përkeqësohet.

Gjithsesi, një aksion më i gjerë ka nisur për pikasjen e të infektuarve të tjerë të mundshëm.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore