Lajme

Një muaj paraburgim për policin që plagosi një serb në veri, tre të tjerët në arrest shtëpiak


Ilustrim

Katër zyrtarëve policorë që dyshohen se janë përfshirë në plagosjen e një qytetari serb në veri të Kosovës të hënën, iu është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Gjykata Themelore në Mitrovicë ka vendosur në lidhje me kërkesën e Prokurorisë Themelore të Mitrovicës për caktimin e masës së paraburgimit ndaj katër policëve të arrestuar më 11 prill, lidhur me plagosjen e një qytetari serb në veri të Kosovës.

Njëri nga zyrtarët policor dyshohet se ka kryer veprën penale “vrasje në tentativë” dhe “manipulimi me prova”, ndërsa tre të tjerët po ashtu dyshohen se kanë kryer veprën penale “moslajmërim i veprës penale”.

Ngjarja në veri të Kosovës, ku mbeti i plagosur një serb e ku të përfshirë janë edhe disa policë të Policisë së Kosovës, ka ngjallur edhe reagimin ambasadorin i Shteteve të Bashkuara të Ameriksë Kosovë, Jeff Hovenier, i cili tregoi qëndrimin e SHBA-së.

Nëpërmjet një cicërime në “Twitter”, ambsadori Hovenier ka shprehur shqetësimin për këtë incident dhe ka bërë thirrje për një hetim të plotë dhe të besueshëm të ngjarjes, ndërsa kritikoi edhe Policinë e Kosovës për “pakujdesi”.

“SHBA-të janë të shqetësuara për një incident në të cilin një serb i Kosovës u qëllua mbrëmë në Zveçan. Zyrtarët dhe institucionet e Policisë së Kosovës duhet të kryejnë një hetim të plotë dhe të besueshëm. Ne jemi thellësisht të shqetësuar nga mohimi fillestar i bërë pa kujdesin e duhur”, shkroi Hovenier.

Nga ana e Policisë së Kosovës fillimisht kishin thënë se nuk janë  përfshirë në ndonjë rast të shkëmbimit me armë zjarri, ku i plagosur ka mbetur qytetari serb Milan Jovanoviç, pranë Urës së Bistricës në Zveçan.

Policia e Kosovës më vonë do ta pranonte se megjithatë një zyrtar policor mund të jetë i përfshirë në gjuajtje me armë zjarri ku u plagos qytetari i Kosovës me përkatësi etnike serbe, i cili është jashtë rrezikut për jetë.

“Si rezultat i hetimeve të pandërprera dhe i angazhimeve të njësiteve policore në vendin e ngjarjes, si dhe si rezultat i ekzaminimit të dëshmive të siguruara, është arritur të sigurohen dëshmi të cilat tregojnë dyshimet për përfshirje të mundshme të një zyrtari policor në gjuajtje me armë zjarri”, thuhej nga Policia e Kosovës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore