Lajme

Një javë që nga zhdukja e dy vajzave në Pejë


Ilustrim.

Tash e një javë dy vajzë janë raportuar të zhdukura në komunën e Pejës.

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka kërkuar gjetjen e tyre.

“Sot një javë, dy studente nga Peja janë zhdukur. Vajzat sipas raportimeve kanë dalë nga shtëpitë e tyre fshati Qyshk e Treboviq dhe janë nisur për në Universitetin ”Kadi Zeka” në Pejë. Si nënë e dy vajzave ky lajm me ka tmerru dhe prej momentit që e kam dëgju nuk mendoj asgjë tjetër”, ka thënë ajo.

Bajrami përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’ konsideron që kjo ngjarje është duke kaluar pa angazhim të mjaftueshëm nga institucionet kompetente.

“Ku është Ministri i Brendshëm?, Ku është Policia e Kosovës?, Ku është Prokuroria e Shtetit?, Ku është Agjencia Kosovare e Intelegjencës?, Ku është Forca e Sigurisë së Kosovës?”.

“Te ne, për këtë rast ka heshtje pothuajse në të gjitha institucionet”.

Bajrami ka bërë thirrje që të kontribuojnë të gjithë për zbardhjen e rastit, duke filluar që nga institucionet e shtetit e deri tek mediat.

Më 25 shtator, dy qytetarë kanë njoftuar Policinë e Kosovës se vajzat e tyre nuk janë kthyer më, pas largimit nga shtëpia.

Këtë e kishte bërë të ditur policia përmes raportit 24-orësh të Policisë së Kosovës.

“Fsh. Treboviq dhe Fsh. Qyshk, Pejë (NN) 23.09.2022 – 07:00. Dy ankues meshkuj kosovarë kanë informuar se vajzat e tyre kosovare janë larguar nga shtëpitë dhe nuk janë kthyer më”, thuhej në raport.

Ndërsa, rasti ishte thënë nga policia se është duke u hetuar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore