Shqipëria

Një ditë pas tritolit ndaj Debreshit, arrestohet i vëllai


Ish-kandidati i pavarur për deputet, Elton Debreshi

Policia në Bulqizë ka vënë në pranga, të shtunën e 28 gushtit, vëllain e Elton Debreshit, si autor i vënies së lëndës plasëse në automjetin e tij të mesnatës së premtes.

A. Debreshi, 29 vjeç, banues në Bulqizë, dyshohet se ka qenë autori i ngjarjes pasi vendosi lëndën plasëse në pronësi të vëllait tij, mjetit tip “Benz”.

Kujtojmë se Debreshi ishte kandidat i pavarur, në Qarkun e Dibrës, në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit.

Lënda plasëse ishte vendosur në pjesën e përparme të mjetit, ku për pasojë ka pasur vetëm dëme materiale.

Ndërkohë materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Dibër për veprat penale, “Shkatërrimi i pronës me eksploziv”; “Mbajtja pa leje e lëndëve plasëse” dhe Deklarim i rremë para oficerit të policisë gjyqësore”.

Reagimi i Sindikatës së Minatorëve

“Tritoli nuk mund ta ndalë përpjekjen tonë”.

Është ky reagimi i Sindikatës së Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës, ndaj aktit të vënies së eksplozivit në makinën e ish-kandidatit të pavarur për deputet, Elton Debreshi.

“Që prej themelimit të sindikatës sonë, ndaj Eltonit dhe shokëve të tjerë ka pasur shpesh përndjekje e kërcënime”, shkruhet në postimin e sindikatës në Facebook. “Sot arritën te tritoli”.

Sipas tyre, mafiozët, oligarkët dhe pushtetarët që marrin kromin e Bulqizës, duan t’u marrin edhe jetën punëtorëve që thonë të vërtetën dhe mbrojnë të drejtat e tyre.

Thirrja e tyre, pavarësisht akteve të pretenduara, mbetet e fortë.

“Ne nuk heshtim. Ne nuk ndalemi”. Kështu përmbyllet postimi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore