Shqipëria

‘Nisma për ndihmë’, dedikuar fëmijëve


“Piktorët e Vegjël”, përgjatë tri ditëve, 28, 29 dhe 30 maj, u bënë bashkë, në ambientet e Kalasë së Tiranës, për të dhënë kontributin e tyre, duke dhuruar “diçka nga vetja e tyre”: art të krijuar aty rishtazi, por me një qëllim të caktuar, për të ndihmuar të tjerë fëmijë që kanë nevojë për ndihmë.

Të dhurosh për një kauzë, jo vetëm që u bën një të mirë atyre që janë në nevojë, por kthehet edhe në dobi për vetë ju. Njerëzit japin bamirësi rregullisht, për të mbështetur kauzat te të cilat besojnë, si dhe për efektin pozitiv që ka në jetën e tyre.

E tillë është edhe historia e “Nismës për ndihmë”. Fillimisht nisi thjesht si ide e një projekti në akademinë ku studionin, nga dy ish-studentet, Klodiana Toptani dhe Juri Hoxha. Tanimë, gjithçka u konkretizua.

“Piktorët e Vegjël” në datat 28, 29 dhe 30 maj.

Kështu, në kuadrin e festës së 1 Qershorit, nisma vullnetare “Nismaperndihme.com”, në bashkëpunim me Kalanë e Tiranës, e realizuan projektin e tyre: eventin e bamirësisë.

Sipas njërës nga nismëtaret, Juri, “synimi është që të shiten sa më shumë piktura dhe të mbledhim sa më shumë lekë, deri në fund të eventit”.

Ajo shpjegon se, “çdo gjë do të jetë transparente dhe me lekët që do të mblidhen do të blihen ushqime, veshmbathje dhe lodra sipas kërkesës të dy jetimoreve”.

Juri bën me dije se dy do të jenë jetimoret, ku do të shkojnë të ardhurat: Jetimorja e Elbasanit dhe Jetimorja “Lulet e Vogla” në Korçë.

Eventi konsiston në shitjen e pikturave, të cilat i kanë pikturuar fëmijët përgjatë këtyre tri ditëve, nën kujdesin e mësueses së pikturës, Ina Hoxha.

Fëmijët janë “qendra” e kësaj ceremonie organizative, por nuk përjashtohen as të rriturit, të cilët mund të japin kontributin e tyre.

“Çdo fitim nga pikturat e shitura, do të hidhet në një kuti transparente. Gjithashtu është i ftuar çdo vullnetar për të ndjekur procesin nga fillimi deri në fund”, përmbyll Juri.

Bamirësia ju bën të ndjeheni mirë

Ndërkohë njëra nga piktoret dhe instruktore gjatë këtyre ditëve, Xhulia Jaku, për Albanian Post shprehu vlerësimin e saj për nismën.

“Si një piktore e sapodiplomuar, unë marr pjesë në këtë aktivitet jo pak frymëzues për bamirësi, e cila organizohet nga Nismapërndihmë.com”.

Jaku u shpreh e lumtur, teksa “drejtoj dhe u jap këshilla fëmijëve të të gjitha moshave, kur vijnë të pikturojnë dhe vizatojnë. Shpresoj që punimet e tyre të shiten dhe të ardhurat të shkojnë për një jetimore në Elbasan”.

Ajo thekson se të gjithë fëmijët meritojnë të festojnë, të argëtohen, ta mbajnë mend 1 Qershorin si festën e tyre dhe, pse jo, “të mos kontribuojmë me aq sa mundemi që t’jua realizojmë këtë dëshirë dhe kush më mirë mund ta bëjë këtë gjë sesa ‘vetë fëmijët për fëmijët’”.

Dhurimi për bamirësi, nxitës kryesor i humorit

Fakti që ju po ndihmoni të tjerët, është jashtëzakonisht fuqizuese dhe, nga ana tjetër, mund t’ju bëjë të ndiheni më të lumtur dhe më të përmbushur.

Kërkimet kanë identifikuar një lidhje midis një akt-dhurimi për bamirësi dhe rritjes së aktivitetit në zonën e trurit që regjistron kënaqësinë.

Kjo vërteton dhe një fjalë të urtë të vjetër, “është vërtet më mirë të japësh, sesa të marrësh”.

Në ambientet e Kalasë së Tiranës, prej dy ditësh, u zhvillua kjo nismë. Aty nuk mungoi as përfshirja e fëmijëve, të cilët dhanë kontributin e tyre me krijimet e tyre nga vetja, me pikturat dhe vizatimet e tyre.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore