Lajme

Nisin hetimet për dy vdekje të dyshimta


Ilustrim.

Policia e Kosovës ka nisur hetimet për dy persona që kanë vdekur të hënën.

Lajmi është bërë i ditur përmes raportit 24 orësh të Policisë së Kosovës, ku thuhet se në emergjencën e Rahovecit është dërguar një grua pa shenja jeta, teksa vdekja e saj është konfirmuar nga mjeku kujdestar.

“Vdekjen e viktimës e ka konstatuar mjeku kujdestar. Sipas familjarëve viktima është rrëzuar nga një lartësi 1.5 metra. Me vendim të prokurorit trupi i pajetë është dërguar në IML për obduksion”, thuhet në njoftimin policor.

Edhe në komunën e Mitrovicës, është gjetur një person i vdekur, rast për të cilin po ashtu kanë nisur hetimet.

Vdekjen e tij po ashtu e ka konfirmuar ekipi mjekësor, ndërsa trupi i pajetë është dërguar për obduksion.

“Rr. Ukshin Kovaqica, Vushtrri 22.04.2024 – 13:30. Raportohet se viktima mashkull kosovar, është gjetur i shtrirë në rrugë. Në vendngjarje ka dalë ekipi mjekësor që e ka konstatuar vdekjen e viktimës. Me vendim të prokurorit trupi i pajetë është dërguar në IML për obduksion”, thuhet në raport.

Ndërkaq tri raste të dhunës janë raportuar në familje, dy në Fushë Kosovë dhe një në Gllogoc, për tre rastet të dyshuarit janë arrestuar.

Dy prej të cilëve më pas janë liruar në procedurë të rregullt.

“Fushë Kosovë  20.04.2024 – NN. Më 22.04.2024 është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, për shkak se i njëjti pas një mosmarrëveshje kishte sulmuar fizikisht bashkëshorten e tij viktimën femër kosovare. I dyshuari pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje”.

“Fushë Kosovë 22.04.2024. Ankuesja femër kosovare, ka njoftuar policinë se ndihet e kërcënuar nga ish-bashkëshorti i saj i dyshuari mashkull kosovar. I dyshuari është arrestuar dhe pas inicimit të rastit me vendim të prokurorit është liruar në procedurë të rregullt”.

Ndërkaq rasti tjetër ka ndodhur në Gllogoc, ku i dyshuari është arrestuar dhe pas inicimit të rastit i njëjti është liruar në procedurë të rregullt.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore