Lajme

Nisin hetimet ndaj anëtarit të VV’së, Sami Kurteshit – dyshohet për sulm ndaj një personi


Sami Kurteshi, anëtar i Lëvizjes Vetëvendosje në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ)

Policia e Kosovës ka nisur hetimet ndaj Sami Kurteshit, anëtar i Lëvizjes Vetëvendosje në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), si i dyshuar për sulm ndaj një personi.

“Kemi pranuar informatën rreth orës 12:00 dhe menjëherë kemi dalë në vendin e ngjarjes”, kanë thënë nga policia për Albanian Post.

“Ndërkohë që në fazë preliminare janë trajtuar rrethanat e ngjarjes, me rekomandimin e prokurorit të shtetit është një hetim për rastin ‘sulm’”.

Policia nuk ka dhënë detaje rreth arsyeve që kanë çuar në fillimin e hetimit për Kurteshin, por AP mëson se ka të bëjë me një konflikt fizik të Kurteshit me një punëtor të KQZ-së.

Arsyeja e konfliktit, përkundër se ende nuk është konfirmuar zyrtarisht, ka të bëjë me mos-bartjen e maskës nga punëtori i KQZ-së.

Megjithatë, vetë Kurteshi e ka mohuar gjithë ngjarjen.

“Nuk është e vërtetë” ka thënë kur u pyet nga Albanian Post për konfliktin, të raportuar edhe në media të tjera.

“Është gënjeshtër”, shtoi ai duke mohuar në tërësi ngjarjen.

Kurteshi në vazhdimësi është ka pasur përplasje verbale në mbledhjet e komisionit. Një herë, ai kishte debatuar me tone të larta edhe me ish-kryetaren e KQZ-së, Valdete Daka.

Pas atij debati, Daka ishte sulmuar nga komente në rrjetin social Facebook dhe ajo kishte aluduar se ato ia ka orkestruar nga partia e Kurteshit, Vetëvendosja.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore