Shqipëria

Nis sot regjistrimi për në Universitet, 43% zgjedhin Ekonomikun


Këtë të martë kanë nisur regjistrimet për në universitete për maturantët që kanë fituar të drejtën e studimit.

Regjistrimet do të zgjasin deri më 11 shtator.

Dekani Dhori Kule në një deklaratë për shtyp njofton se Fakulteti Ekonomik vazhdon të jetë ndër zgjedhjet kryesore të të rinjve si një alternativë e sigurt për punësim në të ardhmen.

“Fakulteti Ekonomik kishte 8500 aplikantë, 43% e maturantëve të Shqipërisë”, tha Dhori Kule.

Megjithatë, për maturantët është dhe një tjetër mundësi përtej këtyre datave.

Ato mund të aplikojnë në  portalin universitar u-albania nga 15 deri në 17 shtator.

Më tej , tre ditë kohë nga 18-20 shtatori  iu është vënë në dispozicion universiteteve të publikojnë listat e renditjes së fituesve dhe regjistrimi për raundin e dytë do të kryhet nga 22 shtatori deri në 1 tetor.

Ndaj drejtuesit akademikë njoftojnë se ka hapësira për të pritur studentët të cilët nuk kanë fituar degën që duan menjëherë me raundin e parë.

“Edhe sikur të regjistrohen të gjithë studentët që kanë aplikuar, Fakulteti Ekonomik ka ende 291 vende”, tha Kule.

Viti i ri akademik do të fillojë më 2 tetor dhe shqetësim për institucionet e arsimit të lartë mbetet sërish rënia e numrit të studentëve.

Një mesazh për regjistrimin e tyre pati ardhur nga vetë ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi.

Ajo i ka ftuar maturantët që të ndjekin studimet e larta në universitetet e Shqipërisë dhe të përfitojnë nga programet e studimit të përbashkëta apo të dyfishta të hapura në kuadër të procesit të ndërkombëtarizimit.

Por edhe nga programet e shpallura prioritet kombëtar, në të cilat mund të përfitojnë përjashtim nga tarifat dhe bursë mujore sa paga minimale.

Këtë vit, sipas saj, përfitues të bursave do të jenë studentët pavarësisht notës mesatare, por gjithmonë duke plotësuar kriteret e pranimit për çdo program studimi.

Po ashtu këtë vit për herë të parë, sipas ministres, vjen në ndihmë edhe kredia studentore, e cila do të mbulojë tarifën e studimit dhe kostot e jetesës për ndjekjen e një programi studimi të ciklit të parë ose të dytë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore