Shqipëria

Nis protesta e qytetarëve, kërkojnë uljen e çmimeve


Qytetarët nga grumbullimi në sheshin “Skënderbej”, kanë nisur marshimin e tyre drejt Kryeministrisë për të katërtën ditë radhazi.

Motivi i njëjtë me atë të mëparshim. Ulja e çmimeve të karburantit, por jo vetëm.

Thirja kryesore e këtij marshimi ishte “ne nuk po bëjmë politikë”.

Qytetarët kanë ardhur nga vende të ndryshme të Shqipërisë. Ata mbajnë pankarta në duar dhe kërkojnë uljen e çmimeve.

Gjithashtu nga informacionet paraprake na bëhet me dije se janë rreth 1 mijë forca policore.

Protestuesit kanë kërkuar nga Qeveria marrjen e masave të menjëhershme për stabilizimin e çmimeve dhe shmangien e abuzimeve në treg.

Një kërkesë tjetër e tyre ishte lirimi i disa protestuesve të ndaluar gjatë tre ditëve të mëparshme.

Ndërkohë protesta ka patur edhe në rrethe, ku në Lezhë protestuesit bllokuan për disa minuta autostradën Lezhë-Laç.

Po ashtu qytetarët protestuan edhe në Pogradec e Berat.

Ndonëse kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, njoftoi se sot ka nisur puna e bordit të kontrollit të furnizuesve të naftës dhe Qeveria është mbledhur për te miratuar paktën anti-krizë, qytetarët janë mbledhur sërish.

Revolta e qytetarëve erdhi pas mëngjesit të 7 marsit, kur çmimet e produkteve të ndryshme, në supermarkete, apo shërbime të tjera, si transporti rrugor, pësuan një rritje drastike.

Çmimi i naftës – brenda 24 orëve – u kushtoi atyre 30-35 lekë më shumë se një ditë më parë.

Kështu pasditja e së mërkurës i gjeti qytetarët poshtë derës së “drejtuesit të qeverisë”, si për t’i kërkuar “llogari” për çdo qindarkë të shpenzuar më tepër.

Manifestimet u shtrinë në akset kryesore të Tiranës, duke i “paralizuar” ato. Të nesërmen, strukturat policore, në bazë të provave të grumbulluara, kryen arrestime për vepra të ndryshme penale.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore