Lajme

Nis Kuvendi i LDK-së, dështon kandidatura e Bislimit


Ka nisur punimet Kuvendi i 10-të zgjedhor i Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryetar të partisë që po mbahet në në sallën e sporteve në Pallatin e Rinisë në Prishtinë.

Ceremonia ka nisur me fjalimin e kryetarit të tanishëm Lumir Abdixhikut, derisa kundërkandidati i këtij të fundit, Faton Bislimit, anëtarët e kryesisë së LDK-së pos që nuk ia dhanë fjalën, e njoftuan se nuk ka të drejtë kandidimi për kryetar të partisë, meqë nuk është delegat i zgjedhur.

Në Kuvendin e LDK-së të përbërë nga 333 delegatë sa ishin të pranishëm në sallë, 331 votuan kundër kandidimit të Bislimit. Në anën tjetër, Abdixhiku i ka falënderuar gjithë burrat dhe gratë e LDK-së që ishin themeltarë të kësaj partie.

“Në emër të gjithë juve, gjithë anëtarësisë sonë, shprehi jo vetëm falënderim e mirënjohje, por të ngrehi në lartësinë më të madhe patriotike kontributin e gjithë burrave dhe grave të LDK-së, të atyre që janë e të tjerët që s’janë mes nesh, themeltarëve të kësaj shtëpie të demokracisë, që të rreshtuar prapa atit themeltar të Republikës së Kosovës, presidentit historik doktor Ibrahim Rugovës”, tha Abdixhiku.

Po ashtu ai ka potencuar se partia që e drejton dy vite e gjysmë më parë u gjend “para një sfide të pazakontë” për shkak të rezultatit të dobët në zgjedhjet e jashtëzakonshme të 14 shkurtit.

Lumir Abdixhiku

“Ne mendojmë jo dorëzimin e akomodimin, por peshën e përgjegjësisë dhe domosdoshmërisë të hapjes të një faqe të re drejt të ardhmes. Koha nuk ishte në anën tonë, as numrat, as pritjet e mëdha që na shtroheshin si thirrje monumentale për fatin e Republikës”.

Në këtë kongres, delegatët e partisë më të vjetër në Kosovë, do të zgjedhin kryetarin e tyre me mandat të plotë 4 (katër) vjeçar.

Në garë dhe sipas të gjitha gjasave fitues, është kryetari i tanishëm i LDK-së, Lumir Abdixhiku, i cili gëzon mbështetjen e shumicës dërmuese të anëtarëve të kësaj partie.
Pos zgjedhjes së kryetarit, LDK-ja do të shpallë edhe programin e saj “Rruga e Re”, përmes të cilit do t’ia paraqesë qytetarëve të Kosovës vizionin e saj për qeverisjen e vendit.

Në më shumë dy vjet në krye të LDK-së, suksesi më i madh i Abdixhikut dhe ekipit të tij, janë zgjedhjet lokale, të mbajtura në nëntor të vitit 2021.

Nën drejtimin e Abdixhikut, LDK kishte arritur që t’i fitonte plotë 8 komuna, përfshirë kryeqytetin, Prishtinën. Lumir Abdixhiku ishte zgjedhur kryetar i LDK-së më 14 mars të vitit 2021, pas zgjedhjeve të jashtëzakonshme të kësaj partie.

Këto zgjedhje në këtë parti, kishin ardhur pas dorëheqjes së Isa Mustafës – si marrje e përgjegjësisë për rezultatin e katastrofal në zgjedhjet parlamentare të 14 shkurtit.

Abdixhiku kishte arritur që në garën me Lutfi Hazirin të marrë besimin e shumicës së delegatëve të kësaj partie. Ai kishte marrë 191 votave të 328 delegatëve të këtij kuvendi. Zgjedhja e kryetarit të LDK-së ishte bërë me vota të fshehta.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore