Shqipëria

Nis dialogu strategjik SHBA-Shqipëri/ Xhaçka: Thellon marrëdhëniet dypalëshe


Në kuadër të 100-vjetorit të rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike, SHBA-Shqipëri është duke u zhvilluar dialogu strategjik midis qeverisë së SHBA-ve dhe asaj shqiptare në Departamentin e Shtetit.

Olta Xhaçka, ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, ndodhet në Washington DC, ku po merr pjesë në dialogun strategjik midis dy qeverive.

Ajo e ka cilësuar  këtë ditë si një ditë shumë intensive.

Kurse zëvendës-Ndihmës Sekretari i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, Gabriel Escobar, ka thënë se ky është takimi më i rëndësishëm mes përfaqësuesve të dy vendeve në historinë moderne.

Escobar është shprehur se Shqipëria luan një rol të rëndësishëm për stabilitetin rajonal dhe atë në Evropë dhe tashmë që është anëtare e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, vendi është bërë një faktor stabiliteti global.

Sakaq, dialogu synon thellimin dhe zgjerimin e partneritetit strategjik mes Shqipërisë dhe SHBA-ve dhe forcimin e bashkëpunimit në fusha me rëndësi gjeostrategjike si siguria, mbrojtja kibernetike, bashkëpunimi në kuadër të Këshillit të Sigurimit, energjia, transporti, klima, transformimi digjital etj.

Delegacioni shqiptar drejtohet nga Xhaçka dhe ai amerikan nga asistent sekretarja e shtetit për Evropën dhe Euroazinë, Karen Donfried.

Ndërsa Sekretari Amerikan i Shtetit, Anthony Blinken, do t’i bashkohet një pjese të diskutimeve të këtij dialogu.

Për herë të parë në përbërje të delegacionit shqiptar ka përfaqësues në nivel të lartë nga MEPJ, Ministria e Mbrojtjes, Ministria e Brendshme, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Ministria e Financës dhe Ekonomisë, Ministria e Drejtësisë dhe për palën amerikane nga DASH, Departamenti i Mbrojtjes dhe ai i Tregtisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore