Lajme

“Nipat e punësuar në institucione” – debat mes Blerta Deliut dhe Besnik Bislimit


Një raportim rutinë i zëvendës-kryeministrit të Kosovës, Besnik Bislimi, para Komisionit Parlamentar për Integrime Evropiane është kthyer në një muhabet me tone të larta për punësime të nipërve nëpër institucione.

Ishte Blerta Deliu-Kodra, anëtare e këtij komisioni nga Partia Demokratike e Kosovës, që e pyeti Bislimin për punësimin e Gëzim Tosunit, për të cilin Deliu-Kodra tha se është nip i tij.

Bislimi ka mohuar se ka nip Tosunin dhe i ka bërë të njëjtën pyetje edhe asaj.

“A është në rregull që nipi i juaj, z.Hyseni, të ulet afër jush?”, ka thënë Bislimi, duke aluduar se Deliu ka punësuar nipin e saj.

“Te rasti i z.Gëzim Tosumi që ju deklaroni se kam ngritur dorën, pyetja juaj është a e keni ngritur dorën për nipin e juaj, a jeni ju dakord që nipi juaj, Driton Hyseni është ulur afër jush në Parlament? Gëzim Tosumin nuk e kam unë nip. Për atë ju pyeta juve për nipin e juaj”, tha ai, derisa, Deliu e ka quajtur këtë deklaratë të zëvendëskryeministrit “shpërfaqje të arrogancës”.

“Nëse ne duhet të dialogojmë me njëri tjetrin atëherë pse keni ardhur ju këtu. S’keni nevojë me shpërfaqë arrogancën zëvendës-kryeministër”, ka thënë Deliu.

Ai më tej u përgjigj për shuarjen e Ministrisë së Integrimeve Evropiane, për çka tha se stafi i kësaj ministrie po vazhdon të veprojë në zyrën e tij dhe këtë fakt e kanë parë si pozitive edhe përfaqësuesit e Bashkimit Evropian në Kosovë.

Bislimi tha se “është fakt që Ministria e Integrimeve Evropiane është shuar, por stafi i asaj ministrie vazhdon të veprojë në Zyrën e zv. Kryeministrit. Shuarja e kësaj ministrie dhe kalimi i kompetencave te zv. Kryeministri i parë është parë shumë pozitive nga përfaqësues të Bashkimit Evropian në Kosovë”, ka thënë Bislimi.

Deliu tha se Bislimi po luan me fjalë në tendencë për t’i ikur përgjigjes.

Ndërkaq, Bislimi ka thënë se pajtohet me Deliun që mungesa e transparencës ka dëmtuar procesin e dialogut, por tha se për një takim të mbajtur në Bruksel ka raportuar më shumë se çdokush.

“Kam qenë në një takim në Bruksel ku nuk është folur asnjë temë e dialogut, por ka qenë informues. Për këtë kam dërguar letër te të gjithë liderët e partive politike. S’di çka mund të ketë më shumë transparencë se kjo. Kam përmbush obligimet”, tha ai në Komisionin për Integrime Evropiane.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore