Shqipëria

Ngacmonte seksualisht nxënëset, pezullohet mësuesi në Berat


Mësuesi i akuzuar për pedofili në Berat, Ëngjëll Bregu, është pezulluar nga puna. Kjo pas një vendimi të marrë nga Zyra Arsimore e këtij Qarku.

Vetëm një ditë më parë, nxënësit dhe prindërit e tyre shprehën shqetësimin për mediat duke kërkuar largimin e Bregut.

Sipas tyre nxënësit kanë frikë prej tij gjatë zhvillimit të orëve të mësimit.

Ai ka qenë i dënuar më herët për të njëjtën akuzë, por u vendos sërish në postin e mësuesit.

Denoncime të tilla janë shtuar kohët e fundit, ku vetëm disa javë më parë u denoncua një rast në Pogradec, ku drejtori kishte ngacmuar seksualisht dy nxënëse.

Në atë kohë, ministrja për Arsimin dhe Sportin, Evis Kushi, do të shprehej se në institucionet arsimore nuk do të ketë kurrë vend për njerëz që guxojnë të dhunojnë pafajësinë e fëmijëve, qoftë edhe vetëm me fjalë apo mesazhe.

Ajo theksoi se, kjo ngjarje nxjerr në pah përgjegjësinë e lartë që ka shërbimi psiko-social në shkollat i cili ndihmoi që rasti të identifikohet, trajtohet dhe referohet në institucionet kompetente.

Kështu duke parandaluar degradimin e mëtejshëm apo ndonjë rrezik të mundshëm abuzimi e dhune ndaj të miturve.

“Detyrë e jona emergjente është forcimi dhe përmirësimi i këtij shërbimi, në bashkëpunim të ngushtë me prindërit, komunitetin, institucionet dhe shoqërinë, për të parandaluar fenomene të tilla të rënda dhe krijuar një mjedis sa më të sigurt e miqësor për të gjithë nxënësit dhe mësuesit”,  finalizon Kushi deklaratën e saj.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore